E Shtunë, 31 Tetor 2026

Topi, Llallës: Ec në gjurmët e Fatmira Laskajt

Presidenti i Republikës, Bamir Topi, i kërkon kreut të ri të Inspektoratit të Deklarimit të Pasurive, Adriatik Llalla, që të ecë në gjurmët e paraardhëses Fatmira Laskaj. Z. Topi priti në Pallatin e Brigadave, kreun e ri të Inspektoratit të Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive, z. Adriatik Llalla, i cili mori në dorëzim detyrën nga paraardhësja e tij, znj. Fatmira Laskaj. Kryetari i shtetit vlerësoi në këtë takim punën dhe rezultatet e arritura nga ky Inspektorat nën drejtimin e znj. Laskaj dhe trajtoi me dy bashkëbiseduesit tema të veçanta të punës së këtij institucioni relativisht të ri. Presidenti Topi, pasi i shprehu urimet z. Llalla për detyrën, nënvizoi rëndësinë e këtij takimi, domethënien e dorëzimit të detyrës dhe vazhdimësinë e punës, duke theksuar gjithashtu se tradita e suksesshme e krijuar deri më tani, duhet ruajtur e përcjellë më tej. Z. Adriatik Llalla, kreu i ri i ILDKP-së, e falënderoi Presidentin Topi për besimin dhe vlerësimin e figurës së tij, duke garantuar njëkohësisht se do të vazhdojë punën me korrektesë, profesionalizëm e paanshmëri në vazhdën e traditës së krijuar tashmë.

Topi, Granof: Shqipërisë i duhen vepra si Durrës-Kukës

Shqipërisë i duhen vepra madhështore si ajo Durrës-Kukës-Morinë. Ky është konstatimi i Presidentit i Republikës, Bamir Topi, drejtuesit të Fondit Shqiptaro-Amerikan të Sipërmarrjes, Majkëll Granof. Presidenti Topi shprehu besimin se Fondi Shqiptaro-Amerikan do të kontribuojë më tej në nxitjen e projekteve amerikane për zhvillimin e biznesit të vogël e atë të mesëm në vendin tonë, duke vënë në pah sidomos veprën madhore të ndërtimit të rrugës Durrës-Kukës, e cila do të lehtësojë jo vetëm lidhjet me Kosovën, por do t’i shërbejë zhvillimit të mëtejshëm ekonomik të mbarë rajonit ballkanik. Kreu i shtetit, duke folur për reformat e ndërmarra deri më tani, shprehu vullnetin e pandryshueshëm të të gjitha autoriteteve e të popullit shqiptar për të vazhduar e thelluar reformat integruese për në NATO dhe nënvizoi bindjen se Shqipëria do të vazhdojë të punojë me vullnet e vendosmëri për të arritur rezultate të rëndësishme, sidomos në fushën e zhvillimit ekonomik, në mënyrë që të marrë vlerësimin e duhur për përpjekjet e saj, pikërisht integrimin në familjen evropiane dhe atë euroatlantike. Në emër të përfaqësuesve të Bordit Drejtues të Fondit, z. Granof u shpreh se jo vetëm ndihet krenar që është pjesë e miqësisë tradicionale historike mes SHBA-së dhe Shqipërisë, porse do të vazhdojë të japë kontributin maksimal në kuadër të përmirësimit të mëtejshëm të klimës së biznesit në vend. Gjithashtu, z. Granof siguroi se fondi që ai drejton, do të vazhdojë të garantojë mbështetje të fuqishme në ecurinë e projekteve në ndihmë të biznesit dhe biznesmenëve shqiptarë, sistemit bankar në Shqipëri dhe se do të financojë edhe projekte të rëndësishme në arsim etj.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›