Denoncuesit e korrupsionit, administrata i “promovon” moralisht
Komisioni i Ligjeve miratoi dje një ndryshim në Kodin e Punës për sa u përket të gjithë të punësuarve në administratën shtetërore. Sipas këtyre ndryshimeve, denoncuesit e çështjeve të korrupsionit në administratë, të cilët janë pjesë e saj dhe që denoncojnë kolegët e tyre, nuk mund të penalizohen financiarisht nga institucioni. “Çdo masë ose sanksion administrativ i pajustifikuar që është marrë ndaj punonjësve, të cilët kanë arsye të dyshojnë për korrupsion e që këtë dyshim ua paraqesin personave përgjegjës ose autoriteteve kompetente, është i pavlefshëm”, - thuhet në pikën një të ndryshimit në Kodin Penal që u miratua dje. Në piken dy theksohet se “kundër vendimit të dhënë në mënyrë të pajustifikuar për shkakun e mësipërm, punonjësi ka të drejtën e animimit në gjykatë”. Një tjetër detaj në ndryshimet e djeshme në Kodin e Punës, është edhe se “raportimi i fakteve që kanë lidhje me korrupsionin, nuk përbëjnë shkelje të detyrimit të sekretit profesional”. Me këtë ndryshim kuptohet qartë se në rast se punonjësi denoncon çfarëdo sekreti të administratës që lidhet me çështje korrupsioni, nuk përbën shkelje etike apo sekreti profesional që mbrohet me ligj.