Ina Rama, kurajo prokurorëve: Mbrojtja jonë, vetëm ligji
Kryeprokurorja Ina Rama ka shfrytëzuar mbledhjen e analizës së punës 9-mujore për të deklaruar se Prokuroria e Përgjithshme, si institucion i pavarur, është e vendosur në luftimin e krimit të organizuar dhe atij financiar. Madje, ajo ka guxuar të ftojë për bashkëpunim edhe ministritë e linjës dhe gjykatat. “Përpara se të analizojmë punën e secilit rreth gjyqësor, e shoh të nevojshme të ndalem tek vizioni i prokurorisë për punën në të ardhmen”, - tha Rama, ndërsa shtoi se “vëmendja juaj duhet të përqendrohet në goditjen me rreptësi të krimit të organizuar dhe krimit financiar. Në këtë luftë duhet të hyjnë me guxim edhe gjykata dhe institucione të tjera qeverisëse, nga bashkëpunimi me të cilat do të arrinim sukses”, - shtoi kryeprokurorja. Më tej, kreu i organit qendror të akuzës u ka dhënë kurajo vartësve të saj që të mos demoralizohen, pasi mbrojtja e vetme për të gjithë ata është ligji. “Në kushtet kur kjo veprimtari përplas prokurorinë me shkelësit e ligjit apo cenon interesat e subjekteve të ndryshme brenda vendit dhe më gjerë, mbrojtja qe ne i ofrojmë vetes është ligji dhe vetëm ligji. Të gjithë së bashku kemi zgjedhur të jemi prokurorë dhe do të përballojmë me vendosmëri çdo pengesë që hasim në punën tonë”, - u shpreh Rama.