E Diel, 1 Nëntor 2026

Çështja “Fazlliç”, Berisha kërkon hetim ndërkombëtar

Qeveria kërkon të zbardhë çështjen “Fazlliç” përmes një hetimi të paanshëm ndërkombëtar që të bashkëpunojë dhe me Prokurorinë e Përgjithshme. Kryeministri Sali Berisha përmes një konferencë për shtyp, prej afro një ore në komunikim me mediat, njoftoi dje se e ka marrë këtë vendim për të faktuar para shqiptarëve se qeveria nuk i ka dhënë asnjë fond publik, asnjë qindarkë të vetme biznesmenit serbo-boshnjak Damir Fazlliç. Në këtë rast kreu i qeverisë këmbëngul të mbrojë dy parimet, hetim të ndershëm dhe prezumimin e pafajësisë, për të cilin vuri në dukje se do ta bëjë sado të kushtojë kostoja e hetimit, në emër të interesit të popullit. Berisha e argumentoi vendimin e tij për hetim ndërkombëtar si një të drejtë të ekzekutivit që nuk shkel Kushtetutën dhe nuk futet në kompetencat e institucionit të prokurorisë. "Nuk po kërkoj transferim të çështjes, por kërkoj hetim ndërkombëtar të saj, sikurse ka ndodhur edhe në shumë vende të tjera", - u shpreh Berisha. E njëjta praktikë e hetimit ndërkombëtar, sipas tij, u ndoq dhe për dy çështjet aq të bujshme, atë të Gërdecit dhe për rrethanat e vdekjes së dëshmitarit Kosta Trebicka. Në rastin e këtij hetimi në të cilin do të përshihen edhe prokurorë vendas, Berisha pohoi se nuk mbron askënd, as biznesmenin Damir Fazlliç. Vetëm pak pak orw mw pas nw mbledhjen e grupit parlamentar shefi i ekzekutivit nuk hezitoi t’i cilësonte veprimet e prokurorisw si politike. Ai akuzoi prokurorinë për veprime flagrante me ligjin, teksa pohoi: “Jemi të vendosur të bëjmë çdo përpjekje për pavarësinë e institucioneve, që ato të përmbushin me dinjitet misionin e tyre”. Por sipas Berishës, në mënyrë kategorike kjo pavarësi është e kërcënuar në shkallën më ekstreme nga veprime politike guerile”.

Hetimi ndwrkombwtar

Kreu i ekzekutivit informoi publikun se do të mbledhë qeverinë e tij për të miratuar një dekret për hetim ndërkombëtar për Fazlliçin. “Kjo s’do të thotë se do përjashtoj prokurorët shqiptarë nga hetimi që ata kanë nisur ndërkohë, por unë do të marr prokurorë të huaj që t’u thonë partnerëve tanë cilat kanë qenë keqbërjet e qeverisë shqiptare dhe cilat janë të vërtetat mbi bllokimet dhe sekuestrot e kompanive të Fazlliçit”, - tha z. Berisha. Kryeministri bëri të ditur më tej se ekspertët që do të hetojnë për Fazlliçin dhe aktivitetet e tij në Shqipëri, do të përzgjidhen vetëm nga vende mike. Ai denoncoi mënyrën se si Prokuroria e Përgjithshme po tenton të hedhë pluhur mbi aktivitetin privat të biznesmenit serbo-boshnjak. I pyetur për policinë dhe shoqërimin që ajo i bëri Fazlliçit, duke mos lejuar që të merret nga prokuroria, Berisha u shpreh: “Nuk ka ndalim në flagrancë me telefon dhe se ligji lejon në raste të caktuara komunikimin midis prokurorit dhe të interesuarit”. Sipas tij, ka vetëm polici gjyqësore dhe kjo polici është e detyruar të përgjigjet një më një. “S’mund të goditen kompanitë në këtë mënyrë! Ky është një mesazh i tmerrshëm për biznesin shqiptar dhe ndërkombëtar. Hetim në përputhje me të gjitha rregullat e shtetit ligjor”, - tha më tej Berisha. Ai shtoi se në rast se evidentohet se “qeveria shqiptare i ka dhënë një qindarkë nga fondet publike Damir Fazlliçit, atëherë ju mund të thoni se ne i kemi dhënë atij miliarda”. Kreu i qeverisë vuri në dukje se "për këtë hetim do të bashkëpunojnë me prokurorët shqiptarë edhe prokurorët e huaj, të cilët do t'u thonë shqiptarëve se cilat janë keqbërjet e qeverisë shqiptare dhe cilat janë të vërtetat mbi bllokimet dhe sekuestrimet antiligjore të pasurive të kompanive, që kanë qenë shtyllë e suksesit të biznesit të brendshëm shqiptar". Duke bërë të qartë se nuk po kërkohet anashkalimi i prokurorisë, ai theksoi se "nuk po kërkoj transferim të çështjes tek hetues ndërkombëtarë, por po kërkohet një grup hetimor së bashku me hetuesit shqiptarë, gjë që është një praktikë hetimi e ndjekur në shumë vende. Askush nuk duhet t'i trembet një hetuesi austriak, danez, amerikan, britanik etj., pasi ne jemi vend i hapur". Gjithashtu, lidhur me blerjen e një cope toke nga ana e Fazlliçit në Porto Romano, Kryeministri vuri në dukje se “Porto Romanoja është shpallur park energjitik nga paraardhësi i tij, ndërkohë që vazhdimisht ka pasur presione për të imponuar ekskluzivitetin".

Hetim parlamentar për konfliktin ministri-prokurori

Kryeministri Sali Berisha insistoi dje edhe në përfshirjen e Parlamentit në çështjen “Fazlliç”. Ai pohoi se do të kërkojë ngritjen e një komisioni hetimor të Kuvendit që do të ndalet në shqyrtimin e marrëdhënieve mes Ministrisë së Brendshme, Ministrisë së Drejtësisë dhe prokurorisë. “Fazlliçi ka të gjitha hapësirat e veta për mbrojtjen e tij. Parlamenti do të krijojë komision hetimor parlamentar, jo për dosjen e hetimit, sepse në ligjin e vendit nuk lejohet as ndërhyrja më minimale në një çështje që është në hetim, por do të ndalet në marrëdhëniet e krijuara mes Ministrisë së Drejtësisë, Ministrisë së Brendshme dhe Prokurorisë së Përgjithshme", - deklaroi z. Berisha. Sipas tij, "ky do të jetë objekt bazë i këtij hetimi. Institucionet tona janë institucione ligjore dhe veprojnë mbi bazën e ligjeve, ndaj çdo gjë do të bëhet transparente para shqiptarëve". Por Kryeministri shpjegoi se "nëse Parlamenti do të kërkojë të bëjë një hetim të plotë për këtë çështje, atëherë duhet të presë të mbarojë prokuroria, pasi nuk mund të ndodhë kurrë që Parlamenti t'i marrë dosjen prokurorisë".

“Fazlliçi para drejtësisë, sipas rregullave shqiptare”

Biznesmeni serbo-boshnjak, Damir Fazlliç, do të dalë para drejtësisë sipas rregullave që disponojnë ligjet shqiptare. Kryeministri Sali Berisha e quan domosdoshmëri që Damir Fazlliçi të paraqitet para drejtësisë në përputhje me rregullat e Shqipërisë. Berisha shprehu siguri se për këtë sjell sërish në Tiranë biznesmenin serbo-boshnjak. “Të jeni të sigurt se nuk jam unë që e bëj këtë. E bën ai vetë. Ai është një njeri i lirë, një biznesmen. Nuk mund të ketë asnjë lloj mëdyshjeje për këtë. Z. Fazlliç do t’u nënshtrohet të gjitha rregullave, për sa kohë të bëjë biznes në këtë vend. Lidhur me ardhjen në Parlament, ajo ishte një polemikë politike. Z. Fazlliç erdhi dhe foli”, - deklaroi z. Berisha. “Intervista e tij, - shtoi Kryeministri, - ka pasur shikueshmërinë më të lartë në historinë e vendit dhe se ai u tha shqiptarëve të gjitha të vërtetat. Ai u tha: ‘Më tregoni një dokument që tregon se kam bërë shkelje’. Nëse tjetri ndalohet për shkrime në gazeta, kjo pastaj është një gjë shumë speciale”, - theksoi Kryeministri Berisha.

Kryeministri: S’mund të bllokohet pasuria vetëm se ka në bord kunatin e Bashës

Kryeministri Sali Berisha mohoi dje faktin që kunati i ministrit Lulzim Basha, z. Erion Isufaj, të ketë bashkëpunuar me biznesmenin Damir Fazlliç, ndërkohë që e cilësoi të padrejtë bllokimin e disa bizneseve nga ana e prokurorisë, vetëm sepse kanë në bordin e drejtimit këtë person. Sipas tij, “nuk kanë asnjë lidhje, dhe se fatkeqësia e këtyre bizneseve është se kunati i ministrit, Erion Isufi, një djalë i ri në moshë, i cili nuk ka qenë kurrë ortak ose bashkëpronar me Damir Fazlliçin, ka punuar një vit apo disa muaj si administrator në kompanitë e tij dhe i ka dhënë dorëheqjen me shkrim Fazlliçit”. Berisha pohoi se biznesmeni i firmës për të cilën bëhet fjalë, e ka pasur në bord këtë biznesmen të ri dhe kjo ka mjaftuar që prokuroria të urdhërojë ngrirjen e investimeve që janë në vazhdim me të paktën me një objekt 36 milionë euro dhe me një grup shumë të gjerë të huaj dhe vendas. “Për të qenë i saktë, pyeta Ministrinë e Financave, nëse ky biznes kishte pasur ndonjë problem me tatimet. Por rezultoi se nuk kishte pasur asnjë problem. Ishte një aksion i mirëfilltë i prokurorisë, për fajin e vetëm se “krimineli” Erion Isufi, kunati i ministrit ishte në bord. Kjo është e vërteta”, - deklaroi z. Berisha.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›