Ambasada e SHBA-së kontribuon me 50 mijë dollarë për përmbytjet në Shkodër
Ambasadori amerikan, Arvizu, ka vizituar dje Shkodrën pas përmbytjeve të disa ditëve më parë dhe ka vlerësuar kontributin e shkëlqyer të qeverisë, policisë dhe ushtrisë në përballimin e situatës
Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Aleksandër Arvizu vizitoi dje Shkodrën me qëllim dorëzimin e një fondi ndihmash për të prekurit nga përmbytjet dhe njohjen me situatën në zonat e prekura. Arvizu u shpreh se është i prekur nga gjendja dhe se e ka ndjekur situatën hap pas hapi dhe jo vetëm ai, por dhe të afërmit e tij në SHBA. “Unë mbërrita në Shqipëri më datë 2 dhjetor. Isha shumë i lumtur që erdha këtu, por ishte gjithashtu shumë e trishtueshme të shihja situatën e përmbytjeve në këtë pjesë të vendit. Dhe miqtë dhe familja ime ishin gjithashtu shumë të trishtuar kur lexonin për përmbytjet, jepej edhe në televizion atje, dhe të gjithë janë të shqetësuar. Në fakt doja të vizitoja javën e kaluar por mendova se ju ishit në mes të përballimit të emergjencës dhe do të ishte mirë të prisja disa ditë dhe të vija, dhe fatmirësisht, uji duket se është tërhequr disi.
Në netët e para, ndiqja televizionin në darkë. Unë nuk flas shqip por nuk është e nevojshme të flasësh gjuhën për të kuptuar çfarë po ndodhte dhe se sa serioze ishte situata. Dhe isha shumë i prekur nga lajmet që lexoja për përpjekjet për të evakuar njerëz, por njerëzit nuk donin të linin pas gjënë e gjallë, nuk donin të linin fermat e tyre. Kjo flet për lidhjen që njerëzit kanë me tokën e tyre dhe pronat e tyre”, u shpreh diplomati amerikan.
Arvizu premtoi se nuk do të shterojnë ndihmat për situatën e vështirë në Shkodër.
“Vizita ime ishte e parashikuar para një jave, por e kam shtyrë që të vija në një situatë më të përmirësuar. USAID ka dhënë ndihma për situatën, ne dhurojmë 50 mijë dollarë fond, do të ketë përsëri ndihma”, theksoi Arvizu.
Ambasadori amerikan përgëzoi punën që u bë për të frenuar situatën e rrezikshme si dhe u shpreh i gëzuar që situata në Shkodër po shkon drejt përmirësimit.
“Jam i kënaqur që komunitetit ndërkombëtar i është përgjigjur thirrjes tuaj për ndihmë. Dua të përgëzoj qeverinë, forcat e policisë, ushtrinë për punën e mirë që kanë bërë në përballimin e situatës. Jam i kënaqur që shoh përmirësim te dukshëm të situatës”, tha ai.