Ngjyrat e bulevardit, si ato të lagjes erotike, Pigali në Paris

Kryeministri Berisha i kërkon Protokollit të Shtetit të përcaktojë dekorin e Tiranës
Kryeministri Sali Berisha kërkoi dje sërish nga Protokolli i Shtetit të marrë përsipër përcaktimin e dekorit të Tiranës.
Nisur nga dekori i kryeqytetit me rastin e festave të fundvidit, Kryeministri tha se bulevardi kryesor i kryeqytetit “Dëshmorët e Kombit” duhet të ketë ngjyrat dhe dritat që përfaqësojnë të gjithë shoqërinë dhe jo ato të importuara nga lagjja e veçantë e Parisit, Pigali.
“Në kryeqytet, vërejti kryeministri, po përballemi me fenomenet më të çuditshme: Protokolli i Shtetit duhet të përcaktojë qartë dekorin e këtij qyteti. Sot, bulevardi kryesor ‘Dëshmorët e Kombit’, më thotë një veteran, ka marrë ngjyrat e Pigalit, një lagje e veçantë e Parisit dhe absolutisht, veterani kishte të drejtë. Shikojini, janë identike ngjyrat e Pigalit. Por ky shesh nuk është Pigali, por bulevardi ‘Dëshmorët e Kombit’”, u shpreh kryeministri, duke shtuar se Edi Rama i ka porositur vetë ngjyrat.
“Ka futur kompanitë, me sponsor dhe për këtë ka bërë mirë, por ngjyrat të atilla nuk mund të vihen. Bulevardi ‘Dëshmorët e Kombit’ do të ketë ngjyrat e dritat që duhen. Pastaj e bën këtë dy muaj pas martese. Protokolli i Shtetit të ndërhyjë, në qoftë se është e mundur me kode të ndërrohen ato ngjyra dhe të bëhen ngjyra normale. Francezët, që i bëjnë sheshit ndriçimin më fantastik, nuk i vënë në Champs Elysees ato ngjyra. As kullën Eiffel nuk e ndriçojnë në atë mënyrë. Ndaj Protokolli i Shtetit të ndërhyjë dhe bulevardi të marrë të gjithë ngjyrat, të cilat përfaqësojnë tërë shoqërinë. Është i papranueshëm siç është. Është shqetësuese. Veteranët ndjehen shumë të lënduar. Dhe unë qëndroj prapa tyre”, deklaroi kryeministri Berisha.