Ambasada e SHBA-së në Tiranë, mos udhëtoni drejt Shqipërisë
Autori i Lajmit: Redaksia
Në një kohë kur situata në veri të vendit vazhdon të jetë tepër e rëndë, ambasada amerikane ka paralajmëruar qytetarët e saj për rrezikun që u kanoset. Në një njoftim të bërë publik në faqen zyrtare të ambasadës iu bëhet thirrje qytetarëve amerikanë që të kenë kujdes me udhëtimet në Shqipëri, ndërkohë që për të gjithë qytetarët që ndodhen në zonat e prekura, thuhet se ata duhet të vijojnë të ndjekin informacionet në medie, pasi ekziston mundësia e bllokimit të tyre. Ambasada ka këshilluar që të ata të telefonojnë për çdo problem dhe të kontrollojnë vazhdimisht faqen e ambasadës. Shqetësimi për këtë situatë ka mbërthyer të gjithë trupin diplomatik në vend, të cilët kanë thirrur në raportim zv/kryeministrin dhe ministrin e Punëve të Jashtme, Ilir Meta së bashku me ministrin e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, Dritan Prifti, dhe zv/ministrin e Brendshëm, Ferdinand Poni. Njoftimi zyrtar i Ministrisë së Jashtme bën me dije se Meta e ka cilësuar situatën si jo-dramatike. "Zv/kryeministri Meta së bashku me ministrin Prifti dhe zv/ministrin Poni informuan ambasadorët e pranishëm mbi situatën në terren dhe mbi masat e marra nga qeveria për përballimin dhe kapërcimin me dëme sa më minimale të situatës së krijuar, të cilën ai e cilësoi si kritike, por jo dramatike", - thuhet në njoftimin e Ministrisë së Jashtme.
Ky lajm është publikuar: 09/01/2010