Rama: Topi të mbledhë Këshillin e Sigurisë, Ina Rama të mos lejojë që të humbasin provatNga TemaKryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, tha dje se është momenti kur të gjithë duhet të jenë të bashkuar për të kapërcyer krizën. “Në këto orë dramatik
Nëse dëshironi të lexoni edicionin online të gazetës në PDF klikoni këtu.
Rama: Topi të mbledhë Këshillin e Sigurisë, Ina Rama të mos lejojë që të humbasin provatNga TemaKryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, tha dje se është momenti kur të gjithë duhet të jenë të bashkuar për të kapërcyer krizën.
“Në këto orë dramatike për vendin, e posaçërisht për zonën veriore që është kthyer në një zonë të kërcënuar më seriozisht se kurrë nga një katastrofë tragjike, ka vetëm një fjalë kyçe: të gjithë të bashkuar për të shpëtuar çdo jetë njeriu. Nuk është ora e luftës politike për nxjerrjen e përgjegjësive për këtë dramë të jashtëzakonshme, e cila s’ka të bëjë, as me ngrohjen globale, as me zemërimin e Zotit, po fatkeqësisht thjesht dhe drejtpërdrejt me keqqeverisjen. Por, është ora, kur politika duhet të vërë në rendin e ditës ndihmën për njerëzit që janë ende në një rrezik, të cilin, përsëri për faj të qeverisë e të mungesës së plotë të transparencës, askush nuk e imagjinon dot sa i madh mund të jetë”, - tha Rama.
Kryetari socialist shtoi se ata kanë hapur dy llogari bankare për të depozituar pará në ndihmë të zonave të prekura, ndërkohë që PS ka ngritur dhe një shtab për koordinimin e kësaj ndihme.
“Çdo shumë, sado e vogël, është shumë e madhe sot për ato familje të dëshpëruara që nuk duhet të ndjehen vetëm në këtë orë të tmerrshme.
Çdo anëtar i partisë sonë, në Shqipëri apo emigracion, të derdhë në këto konto kontributin e tij. Çdo simpatizant apo qytetar që dëshiron një rrugë për të dhënë ndihmën e tij, le të përdorë kontot bankare në ndihmë të familjeve të përmbytura në veriun e Shqipërisë.
Është ora që çdo kryebashkiak e krye-komunar i Partisë Socialiste të organizojë mbledhjen e ndihmave dhe të vendoset në kontakt me shtabin e koordinimit të ndihmës së Partisë Socialiste që do të funksionojë 24 orë, edhe në Tiranë, edhe në Shkodër.
Është ora që ta ndërtojmë një lëvizje kombëtare solidariteti, me çdo gjë, sado të vogël që mundemi. Të tregojmë se dimë të bëjmë për njëri-tjetrin, kur ditët e këqija vijnë për këdo qoftë ndër ne”, - tha Rama, që përsëriti apelin ndaj banorëve që të largohen nga zonat e rrezikuara.
Kryetari socialist kërkoi që qeveria të garantojë transparencë për gjithçka.
“Është ora që qeveria t’i lërë justifikimet e kota përpara realitetit, sa të dhimbshëm, aq edhe të qartë të asaj që po ndodh dhe të garantojë transparencë të plotë për gjithçka. Për çdo të dhënë në terren, për çdo lëvizje të planifikuar në kërkim të daljes nga situata, për çdo vendim të studiuar nga specialistët, për çdo element të kësaj situate, ku Sali Berisha duhet t’ua kursejë shqiptarëve, edhe panikun, edhe broçkullat, edhe gënjeshtrat, edhe avazin e tij vulgar kundër opozitës. Ashtu siç duhet t’u kursejë edhe daljen në publik të ministrit të tij të Energjitikës, i cili, në qoftë se nuk heq menjëherë dorë, së paku nuk duhet lejuar të ketë më dorë”, - tha Rama, i cili kërkoi dhe mbledhjen e Këshillit të Sigurisë nga presidenti, duke theksuar se katastrofa nuk ka shkaqe natyrore. Rama kërkoi që Prokurorja e Përgjithshme nuk duhet të lejojë humbjen dhe tjetërsimin e provave për këtë ngjarje të rëndë.
“Është ora që Presidenti i Republikës të thërrasë Këshillin e Sigurisë Kombëtare. Kjo katastrofë nuk është për shkak të zemërimit të natyrës, po për shkak të keqqeverisjes dhe njerëzit e vendi nuk duhet të paguajnë asnjë kosto shtesë po për këtë shkak. Është ora që Prokurorja e Përgjithshme të mos lejojë humbjen apo tjetërsimin e asnjë prove për përgjegjësinë e pashmangshme të kujtdo qoftë që paguhet nga shqiptarët për t’iu siguruar jetën, pronën, të ardhmen, jo për t’i përmbytur për shkaqe që duhet të bëhen transparente fije për fije dhe duhet të ndëshkohen një për një”, - tha Rama.
“Është ora që njëzet vjet pandëshkueshmëri për gjithfarë katastrofash jo-natyrore të mbarojnë dhe shpresa se ky vend mund të bëhet dhe se ndëshkimit të ligjit nuk i shpëton asnjë keqbërës, aq më tepër keqbërësit e veshur me pushtet, të mos vdesë edhe për njëzet vjet të tjera. Hetimet duhet të fillojnë urgjentisht, ndërkohë që politika duhet të mos ngatërrojë radhën e punëve. Në fillim jetët e njerëzve. Pastaj përgjegjësitë e pushtetarëve. Një për një. Deri në fund.”