E Diel, 1 Nëntor 2026

Frika, 6 blinda dhe Guvernatori tërheqin paratë nga Shkodra

Autori i Lajmit: Redaksia
Një karvan me gjashtë makina të blinduara është parë dje në mesditë në aksin rrugor Shkodër-Tiranë. Pamja e vargut të makinave ka bërë mjaft përshtypje, por edhe më mbresëlënës duket fakti që në makinën kryesuese, ka qenë vetë Guvernatori Ardian Fullani. Makinat e blinduara ishin nga ato që përdoren për transport parash. Shkodra është një nga 6 pikat e mëdha të vendit ku Banka e Shqipërisë mban depozita parash. Tërheqja e tyre drejt Tiranës mund të interpretohet si masë sigurie, por edhe si shenjë e frikës nga një mungesë e pritshme rendi në zonën, ku tashmë "pushteti" i vetëm përfaqësohet nga uji që vazhdon të zbrazet pafundësisht nga Hidrocentralet. Burime nga Banka konfirmuan se bëhet fjalë për "një sistemim rutine të situatës bankare" dhe se prezenca e vetë guvernatorit në këtë operacion, ishte një impenjim i tij personal "për të kryer detyrën" në këtë situatë shumë të vështirë që po kalon vendi. Burimi nuk pranoi të jepte hollësi mbi përmbajtjen e ngarkesës së 6 blindave bankare. Rregullorja e Bankës së Shqipërisë për transportimin e parave përcakton se ato duhet të shoqërohen të paktën nga dy makina. Pas viteve 90 paratë transportohen nga një makinë, e vënë në dispozicion nga Banka e Shqipërisë, ndërsa makinat shoqëruese nuk i përkasin më Policisë së Shtetit, por janë firma private. Kryesisht polici private, që kryejnë aktivitetin tregtar, më së shumti në fushën e sigurisë. Këto firma marrin përsipër edhe ruajtjen e biznesit.
Ky lajm është publikuar: 09/01/2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›