E Diel, 1 Nëntor 2026

Ambasada e SHBA-ve dhe Këshilli i Europës, të shqetësuar për ligjin e dosjeve

Ish-presidenti Meidani mohon zhvillimin e negociatave midis dy partive kryesore të së majtës.

Shaban Sulçe

Negociatat midis Lëvizjes Socialiste për Integrim dhe Partisë Socialiste përfundojnë ende pa nisur mirë. Gjetja e gjuhës së përbashkët midis dy partive kryesore të së majtës mbetet një mision i pamundur, madje është arritur deri aty sa të mohohet ekzistenca e negociatave të tilla. Një gjë e tillë është pohuar për gazetën “Albania” nga ish-presidenti Rexhep Meidani, i cili pritej të ishte një prej tre negociatorëve të Partisë Socialiste, për të mundësuar bashkëpunimin me LSI-në. “Nuk ka negociata”, - ka deklaruar prerazi ish-presidenti Meidani. Deklarata e ish-presidentit dhe ish-sekretarit të Përgjithshëm të Partisë Socialiste duket se ka shprehur qartë mungesën e vullnetit për arritjen e një bashkëpunimi të frytshëm midis dy forcave kryesore të së majtës. Tri ditë më parë Meidani kishte shprehur gatishmërinë për të negociuar midis palëve në rast se do të ekzistonte vullneti real midis tyre. Ndërkohë që prononcimi i djeshëm i Meidanit, sipas të cilit “nuk ka negociata”, duket se konfirmon edhe njëherë pamundësinë e një bashkëpunimi real midis PS-së dhe LSI-së.

Çështjet
Rishikimi i ndryshimeve kushtetuese, rishikimi i Kodit Zgjedhor, ulja e tensioneve parazgjedhore si dhe mundësia e krijimit të një koalicioni të vetëm opozitar në zgjedhjet e ardhshme parlamentare, ishin katër çështjet të cilat do të përbënin thelbin e negociatave midis LSI-së dhe Partisë Socialiste. Kreu i LSI-së, Ilir Meta, mandatoi si negociator të LSI-së nënkryetarin e saj, Zabit Brokaj, i cili do të negocionte me figurat historike të Partisë Socialiste, Servet Pëllumbi, Dritëro Agolli dhe Rexhep Meidani. Brokaj do të negocionte me personalitetet historike të PS-së rreth dy çështjeve thelbësore, të cilat sollën acarimin e marrëdhënieve midis liderit të PS-së dhe atij të LSI-së. Pikërisht bëhej fjalë për rishikimin e ndryshimeve të Kushtetutës dhe rishikimin e Kodit të ri Zgjedhor.

Rama

Negociatave për një afrim të mundshëm PS-LSI, kreu i PS-së, Edi Rama, i është kundërpërgjigjur me të njëjtën mënyrë, ashtu siç bëri edhe me letrën që iu dërgua disa ditë më parë nga kreu i LSI-së, Ilir Meta. Rama deklaroi dy ditë më parë se dera e PS-së për Metën është gjithnjë e hapur, por tema për rishikimin e Kodit Zgjedhor është e mbyllur. Rama e konsideroi të mbyllur këtë çështje, e cila solli acarimin e marrëdhënieve me Lëvizjen Socialiste për Integrim. “Qëndrimi ynë ka qenë dhe mbetet i qartë: Kodi është çështje e mbyllur, dera jonë është gjithnjë e hapur. Po të dojë vërtet të bashkohet dhe të luftojë me ne, Ilir Meta ta thotë dhe mirë se të vijë. Por, fatkeqësisht, u bënë kohë që ai çfarë thotë një ditë, nuk e thotë një ditë tjetër”, - tha Rama.

Meta
Ditën e diel, kreu i LSI-së, Ilir Meta, përshëndeti shqetësimet publike të shprehura nga Pëllumbi, Agolli dhe Meidani për gjendjen e së majtës në prag të zgjedhjeve të ardhshme parlamentare. Meta shprehu gatishmërinë e LSI-së për të negociuar, duke mandatuar nënkryetarin Zabit Brokaj si dhe shprehu gatishmërinë për t’u takuar me kreun e PS-së, Edi Rama. “U kërkoj, si zotit Meidani, si zotit Agolli, si zotit Pëllumbi, meqenëse ata janë pjesë e Partisë Socialiste, që të japin kontributin dhe ndikimin e tyre për t’u realizuar ky bashkëpunim. Dhe për këtë qëllim unë jam sot këtu edhe me prof. Zabit Brokajn, një nga themeluesit e Partisë Socialiste dhe nga kontribuuesit më të spikatur të së majtës gjatë gjithë këtyre 18 viteve të pluralizmit dhe të demokracisë, duke pasur besim edhe te angazhimi i tij tepër i sinqertë dhe parimor, për të kontribuar në krijimin e një klime, e cila do të sillte një takim dhe do të rivendoste një dialog, që do të rivinte në vend themelet e një bashkëpunimi parimor, që i shërben jo thjesht interesave të LSI-së apo të PS-së, por interesave të një opozite të fuqishme dhe alternative, por edhe interesave të vendit për zgjedhje të ndershme dhe të lira dhe për të ecur pas zgjedhjeve të qershorit, me shpejtësi drejt Bashkimit Europian”, - tha Meta.

24 Dhjetor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›