E Diel, 1 Nëntor 2026

G99-a: Qeveria të vërë përpara përgjegjësisë veten dhe Bollanon



Lëvizja “G99” ka reaguar ndaj veprimeve më të fundit të kryebashkiakut të Himarës, Vasil Bollano. Aktivisti i G99-s, Etien Xhafaj, tha se kryeministri dhe qeveria aktuale po lejojnë Bollanon të nëpërkëmbë dinjitetin e shtetit shqiptar si dhe po tenton cenimin e marrëdhënieve midis Shqipërisë dhe Greqisë.
“Në Himarë, po kjo qeveri e po ky kryeministër po lejojnë një kryetar bashkie të nëpërkëmbë dinjitetin e shtetit dhe aspiratat e të gjithë shqiptarëve. Vasil Bollano ka treguar më parë e po vazhdon të tregojë se ai nuk përfaqëson minoritetin grek në Himarë e Shqipëri. Përkundrazi, Bollano po kthehet në elementin kryesor që synon të cenojë seriozisht marrëdhëniet deri tani shumë të mira mes minoritetit grek në Shqipëri dhe shqiptarëve. Fryma e bashkëpunimit mes minoriteteve në Shqipëri nuk mund dhe nuk duhet të lejohet të varet nga deliret e një radikali që përpiqet të tërheqë vëmendjen e publikut duke krijuar konflikte që nuk janë reale. Ndërsa Shqipëria ka hyrë në vitin elektoral, asnjë faktor politik nuk është i interesuar në ashpërsimin e marrëdhënieve etnike brenda saj. G99-a u bën thirrje forcave politike, e në veçanti atyre që përfaqësojnë vërtet aspiratat dhe vullnetin e minoritetit grek në Shqipëri, të distancohen nga komentet dhe protagonizmi i Bollanos”, - tha Xhafaj.

24 Dhjetor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›