PS: Ligjin “Për dosjet” do ta ankimojmë në Gjykatën Kushtetuese
Partia Socialiste deklaron se do të ankimojë në Gjykatën Kushtetuese ligjin “Për dosjet”, të miratuar ditën e hënë në mënyrë të njëanshme nga deputetët e maxhorancës. Lajmi është bërë i ditur nga sekretarja e Marrëdhënieve me Jashtë në Partinë Socialiste, Arta Dade. Gjatë një prononcimi për mediat, Dade tha se PS-ja shpreh shqetësimin e saj të thellë, për kalimin e ligjit, të ashtuquajtur për pastërtinë e figurës, me shumicë të thjeshtë në mënyrë të njëanshme duke shkelur të gjitha parametrat dhe përvojën europiane të hartimit të ligjeve të tilla në vendet që kanë dalë nga diktatura komuniste. Deputetja socialiste vlerësoi shqetësimet e shprehura nga faktori ndërkombëtar, ndërkohë që e cilësoi shumë të gabuar veprimin e kryeministrit Berisha për të mos marrë parasysh këshillat dhe shqetësimet e shprehura, të cilat e cilësonin antikushtetues ligjin në fjalë. “Sali Berisha manifestoi shurdhëri ndaj këshillave dhe sugjerimeve të partnerëve euroatlantikë, duke filluar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, OSBE-ja që flet në emër të 55 vendeve anëtare, Britania e Madhe, Rezoluta e Këshillit të Europës, sekretari i Përgjithshëm i Këshillit të Europës Terri Dejvis, Partia Socialiste që ripërsërit qëndrimin pro hapjes së dosjeve, përfaqësues të partive parlamentare dhe shoqërisë civile”, - vijoi ajo. Dade akuzoi kryeministrin Berisha se po abuzon me pushtetin. Ajo theksoi se pavarësisht miratimit të ligjit për pastërtinë e figurave, një gjë e tillë nuk do të mund ta shpëtojë kryeministrin Berisha dhe ministrat e tij nga Drejtësia për aferat korruptive që janë shkaktuar gjatë qeverisjes së tyre.
“Sali Berisha vazhdon të thellohet në abuzivizmin me pushtetin. Ky ligj nuk ka se si e shpëton atë dhe maxhorancën nga hetimet për krimin shtetëror të Gërdecit, për krimin e grabitjes së fondeve shtetërore të ndërtimit të rrugës së kombit, nga hetimi për aferat korruptive shumëmilionëshe të sekserit serb që ka kapur shtetin me gjithë kryeministër”, - tha sekretarja e Marrëdhënieve Ndërkomëbëtare në selinë rozë, Arta Dade.
24 Dhjetor 2008