Ambasada ndërmjetësoi mes Mediut dhe Diverolit
Denoncuesi shqiptar i skandalit, Kosta Trebicka: Ndërhyrja e ambasadës së SHBA, pas ankesës së AEY
Kosta Trebicka, denoncuesi i skandalit të fishekëve shqiptarë drejt Afganistanit pohon në një intervistë për “Shekullin” se zyrtarë të Ambasadës Amerikane në Tiranë kanë ndërhyrë, pas pakënaqësive të shfaqura prej Efraim Diverolit. “Ministri i Mbrojtjes dhe Pinari kishin pretendime se Diveroli nuk kishte paguar për municionet e blera, por ai pohoi se ndërmjetësi i tij, Henri Tomei, kishte paguar në llogarinë personale të Ylli Pinarit”,-pohon Trebicka. Ai shton se gjatë kohës që është marrë me paketimet, nuk është falsifikuar origjina e fishekëve apo etiketa e mallit, ndërsa shpreh habinë e tij sesi një person i dyshuar për trafik armësh si Pinari të mbijetojë aq gjatë në administratën shqiptare.
Zoti Trebicka, ju ishit i pari që denoncuat skandalin e trafikimit të municioneve shqiptare. Si ju duk seanca dëgjimore në Kongresin Amerikan?
Natyrshëm që procedura të tilla dëgjimore janë tepër transparente si për publikun amerikan, ashtu edhe për atë ndërkombëtar. Më bëri përshtypje fakti që në raportet e shërbimeve informative të specializuara amerikane, emri i zotit Pinari ishte në të njëjtën listë "vëzhgimi" me ata emra të trafikantëve të mëdhenj ndërkombëtare të armëve, të cilësuar si persona apo entitete me të cilat duhej të kihej kujdes kur të kryheshin transaksione. Nuk arrij të kuptoj se si administrata jonë e ka mbajtur në "gjirin e saj" për një periudhe të konsiderueshme kohore këtë njeri.
Zyrtarët e Pentagonit deklaruan dje në Kongres se nuk kishin patur dijeni për origjinën kineze të municioneve. Nga kontaktet tuaja me Diverolin, sa dijeni kishte Pentagoni për origjinën e municioneve?
Nuk jam në gjendje që t’i përgjigjem kësaj pyetjeje, pasi nuk jam pjesë e strukturave të tilla dhe nuk besoj se mundem ndonjëherë të arrij të kem ndonjë informacion të tillë.
Sipas informacioneve që ju keni, kur ka hyrë në lojë Ambasada Amerikane në Tiranë. Dimë që Diveroli kishte shfaqur pakënaqësi gjatë vizitës në Tiranë, për kontradiktat me MEICO-n?
Funksionarë të Ambasadës Amerikane në Tiranë, pas pakënaqësive të Diverolit, menjëherë kontaktuan me funksionarë të Ministrisë së Mbrojtjes dhe nga biseda me ta na u komunikua se pretendimet e ministrit të Mbrojtjes dhe të zotit Pinari ishin se "kompania AEY nuk kishte paguar vlerën e kontraktuar për sasinë e municionit". Përgjigjja e menjëhershme e zotit Diveroli ishte se komisioneri i AEY-së, zoti Henri Tomei, kishte paguar në llogarinë privatetë zotit Pinari të gjithë sasinë e kontraktuar. Në rast se zoti Pinari nuk e kishte kaluar këtë pagesë nga llogaria e tij në atë të ndërmarrjes shtetërore "MEICO", atëherë ky ishte një problem i brendshëm i Ministrisë dhe i Pinarit.
Ju i keni parasysh akuzat e kongresmenit demokrat Waxman për zyrtarët e ambasadës amerikane në Tiranë. Nëse ata “mbyllën një sy”, për origjinën kineze të municioneve, për çfarë motivi mund ta bënin?
Nuk jam në gjendje t’i përgjigjem kësaj pyetjeje.
Zoti Trebicka, cili ishte roli i kompanisë tuaj në biznesin e paketimit të municioneve, ku dyshohet se është bërë falsifikimi i origjinës së fishekëve?
Së pari, ju informoj që unë dhe kompania ime, për aq kohë sa unë punova, nuk kemi bërë asnjë mashtrim me etiketimet. Në sasinë prej dhjetë milionë fishekësh që unë paketova, në asnjë rast nuk u përdorën etiketa që prodhimi ishte shqiptar. Këtë gjë e vërteton edhe raporti i kontrollit të Departamentit të Mbrojtjes në tetor të 2007 në Afganistan. Të gjitha procesverbalet e mia me punonjësit e "MEICO"-s e vërtetojnë një gjë të tillë dhe janë tepër korrekte. Që nga koha që unë forcërisht u largova nga procesi i paketimit, kohë që i përket periudhës 10 -20 Maj 2007, nuk gjendet as edhe një procesverbal i vetëm që të vërtetojë se kush i kreu këto paketime dhe çfarë etiketash u përdorën. Pra pyetja që ju me të drejtë duhet të ngrini është se "kush kompani vazhdoi procesin e paketimit nga data 20 maj 2007 e deri në dhjetor 2007, kohë kur Pentagoni kërkoi menjëherë ndërprerjen e procesit të paketimit, për shkak se si fishekët po ashtu edhe paketimi ishin të një cilësie tepër të keqe, si dhe çfarë etiketash u përdorën?"
Është një pikë që ngjall shumë habi në politikën amerikane dhe në Shqipëri. Si mundet që një 21-vjeçar, si Diveroli tëfitonte një kontratë 300 milionë dollarëshe?
Këto janë probleme të cilat do t’i zgjidhë drejtësia dhe hetimi i dhomës së përfaqësuesve. Unë isha i detyruar të respektoja kontratën e Pentagonit dhe jo moshën e Diverolit.
Pas mëse tre muajsh nga tragjedia e Gërdecit. Sipas jush kush është përgjegjësi kryesor në këtë aferë, ku ju ishit i prekur si biznesmen?
E kam thënë edhe herë të tjera në media që unë personalisht nuk kam patur asnjë dijeni se ku ndodhej Gërdeci. Paketimi i municioneve nuk ka lidhje shkakësore me tragjedinë e Gërdecit. Do të ishte tjetër gjë në rast se baza e Gërdecit mund të jetë përdorur si ombrellë për trafikimin e municioneve. Këtë le t’ia lëmë në dorë organeve kompetente të drejtësisë.
Prokurorja e Përgjithshme pranon se ka pasur pengesa serioze nga institucionet e shtetit për hetimin e çështjeve
Rama: Deri në fund hetimit për Gërdecin
TIRANË- Pavarësisht ritmeve me të cilën po ecën hetimi dhe dinamikës së ngjarjeve, Prokuroria e Përgjithshme është e vendosur që të zbardhë deri në fund të gjitha dyshimet që lidhen me dosjen e rrugës "Rrëshen-Kalimash" dhe çështjen "Gërdeci". Kreu i këtij organi, kryeprokurorja Ina Rama ka siguruar dje deputetët e Komisionit të Ligjeve se pavarësisht vështirësive dhe përpjekjeve për pengimin e hetimeve për këto dy çështje të mëdha, ajo ka vullnetin e plotë për t'i shkuar hetimeve deri në fund. E ftuar për të raportuar në lidhje me gjendjen e kriminalitetit për vitin 2007, kreu i organit të akuzës, pavarësisht përpjekjeve të kreut të këtij komisioni, Fatos Beja, për të evituar komentet për këto dy çështje, nuk i është shmangur dot interesit të deputetëve të opozitës për ecurinë e deritanishme të procesit hetimor dhe ka pohuar se për shkak jo vetëm të detyrimit ligjor, por edhe të ndjeshmërisë së publikut, "i gjithë organi i akuzës shqiptar është i angazhuar për të hetuar plotësisht këto çështje dhe për t'i shkuar deri në fund". Megjithëse nuk ka pranuar që të bëjë publike detaje të procesit të hetimit, kryeprokurorja Rama ka lënë të kuptohet qartë se gjatë punës së saj ka hasur në vështirësi, kryesisht për shkak të pengesave që kanë sjellë institucione të ndryshme, pengesa që ajo nuk ka ngurruar t'i cilësojë edhe si serioze. "Nuk mund të them dhe nuk mund të bëj prezent pengesat serioze nga asnjë institucion shtetëror në hetimin e këtyre çështjeve. Në lidhje me fazën që ato ndodhen dhe veprime konkrete që po ndërmerr prokuroria nuk më duket e përshtatshme dhe as e drejtë që unë të jap shpjegime tani. Do të doja vetëm të garantoja për angazhimin maksimal për hetimin e plotë për zbardhjen e së vërtetës për të dyja këto çështje", - është shprehur kryeprokurorja. Fejzi Braushi
Letra, Uidhers: Po përgatis përgënjeshtrimin
TIRANË- Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë, Xhon Uidhers, ka mohuar dje që të jetë pjesë e skandalit për tregtinë e paligjshme të armëve nga Shqipëria drejt Afganistanit për hesap të qeverisë amerikane. Megjithëse jo në mënyrë të drejtpërdrejtë, përfaqësuesi më i lartë amerikan në vendin tonë, nëpërmjet një deklarate për shtyp publikuar në faqen zyrtare të Ambasadës Amerikane ka reaguar pas publikimit të të dhënave, sipas të cilave, e kompromentojnë atë në një tentativë jo ligjore për t'ifshehur, fillimisht reporterit të NYT dhe më pas Kongresit Amerikan, origjinën kineze të municioneve që do të eksportoheshin nga Shqipëria drejt Afganistanit. Në deklaratën e vet Uidhers bën të ditur se është në dijeni të pretendimeve të paraqitura në letrën e 23 qershorit nga Përfaqësuesi i Kongresit, Henri Ueksmen, drejtuar Sekretares së Shtetit Rajs. "Ai (ambasadori Uidhers) po studion përmbajtjen e letrës dhe, sapo ta ketë mbaruar këtë, do të përgatisë një përgënjeshtrim të plotë të çfarëdo pretendimi kundër Ambasadës së SHBA apo atij vetë", - thuhet në komunikatën për shtyp të Ambasadës Amerikane. Gjithashtu më tej në këtë deklaratë shprehet besimi që ambasadori Uidhers ka thënë se nga trajtimi i drejtë i fakteve do të dalë dhe e vërteta."Ai e përdor këtë parim në mënyrë të barabartë si ndaj vetes, ashtu edhe ndaj të tjerëve, me dijeninë absolute që faktet mbi këtë çështje, të paraqitura plotësisht, do të shpërbëjnë cilindo dhe çdo pretendim të ngritur kundër tij, stafit të tij, apo qeverisë së tij", - përfundon komunikata e ambasadës amerikane.
Ina Rama: S'kemi të dhëna për përfshirjen e ambasadës
TIRANË- Prokurorja e Përgjithshme, Ina Rama, deklaroi se organi i akuzës nuk ka asnjë informacion deri më tani për përfshirjen e Ambasadës Amerikane në skandalin e trafikut të armëve. "Nuk kemi asnjë të dhënë për zyrtarët e ambasadës deri në këto momente",- i është përgjigjur Prokurorja e Përgjithshme gazetarëve, pas raportimit para anëtarëve të Komisionit të Ligjeve. Po dje, Prokurorja e Përgjithshme ka deklaruar për mediat se organi i akuzës i është drejtuar organeve homologe të drejtësisë amerikane për të marrë jo vetëm dëshminë e Efraim Diverolit, President i Kompanisë AEY, por edhe disa prova te tjera për zbardhjen e ngjarjes. "Kemi kërkuarjo vetëm dëshminë, por edhe një sërë provash që ne i çmojmë të nevojshme për hetimin tonë për çështjen e Gërdecit dhe që mendojmë se mund të na serviren nga drejtësia amerikane dhe shoqëruar kjo kërkesë bashkë me pyetjet konkrete për të cilat në mendojmë se duhet të japë shpjegime Diveroli. Dëshmia e Diverolit është në funksion të kësaj piste hetimi të trafikimit të armëve, pastaj do të shohim nga të dhënat që ai mund të na japë dhe që mund të na shërbejnë për hetimin tonë",- tha ai.
Prokuroria e Përgjithshme nis hetimin për falsifikim stampash dhe mashtrim
Hetim në Shqipëri për Diverolin
TIRANË- Arrestimi i Efraim Diverolit nga Prokuroria e Floridës duket e ka zgjuar nga “gjumi” Prokurorinë e Përgjithshëm për të filluar hetimet ndaj presidentit të AEY-së për kryerjen e veprave penale të “mashtrimit” dhe “falsifikimit të vulave, stampave ose formularëve” në Shqipëri. Katër ditë pas ngritjes së 36 akt-akuzave ndaj Diverolit nga prokuroria e Floridës, akuza shqiptare ka filluar hetimin në pistën e falsifikimit dhe mashtrimit ndaj tij dhe bashkëpunëtorëve që tashmë janë arrestuar. Deri dje, burimet zyrtare pranë Prokurorisë së Përgjithshme, të pyetur në lidhje me trafikun e mundshëm të fishekëve nga ndërmarrja MEICO dhe kompania AEY, janë shprehur kategorikisht kundër këtyre dyshimeve, duke u mjaftuar me pretendimet se: “nuk kemi trafik, kemi shitje legale të municioneve nga shteti”. Por siç duket, kjo shitje municionesh nuk është bërë në bazë të rregullave dhe procedurave të caktuara nga legjislacioni shqiptar dhe ai amerikan. Punonjësit e MEICO-s, të urdhëruar nga drejtori i tyre, Ylli Pinari, që tashmë ndodhet i arrestuar, kanë fshehur me dashje stampat e prodhimit të municioneve që i shiteshin kompanisë AEY, duke i hequr ato origjinale të prodhimit kinez dhe vendosur stampat me mbishkrime “Made in Albania”. Por pas publikimit të këtij informacioni nga Kongresi amerikan, Prokuroria e Përgjithshme ka filluar hetimet ndaj Efraim Diverolit,në bashkëpunim me ish-drejtorin e MEICO-s, Ylli Pinari.
Neni 190
Falsifikimi i vulave,stampave ose formularëve
Falsifikimi apo përdorimi i vulave, stampave dhe formularëve të falsifikuar apo paraqitja e rrethanave të rreme në këto të fundit që u drejtohen organeve shtetërore, dënohet me gjobë ose me burgim gjer në pesë vjet. Kur falsifikimi bëhet nga personi që ka për detyrë përpilimin e tyre, dënohet me burgim nga tre gjer në shtatë vjet.