Enel: Tec me qymyr dhe nuklear në Shqipëri
Kompania Italiane ka bërë të ditur se është duke punuar me palën shqiptare për ndërtimin e një termocentrali me qymyr
“Berluskoni fton Berishën në Itali, ndërtimi i burimeve të energjisë në qendër të takimit”
Kompania e prodhimit të energjisë “Enel” planifikon që të ndërtojë një Termocentral me qymyr në Shqipëri dhe njëkohësisht po realizon një studim për mundësinë e ndërtimit të një centrali nuklear. Deklarata ka ardhur nga shefi ekzekutiv e kompanisë gjatë ditës së djeshme. “Ne po punojmë me qeverinë Shqiptare për ndërtimin e termocentralit me qymyr, “ ka bërë të ditur Fulvio Conti, drejtori ekzekutiv i “Enel” për radio RAI 1. “Ne mendojmë se kemi të gjitha garancitë e nevojshme për të bërë të mundur që të rrisim prezencën tonë në treg, edhe në investimet nukleare, por në terma shumë afatgjatë. Akoma asgjë nuk është planifikuar asgjë në këtë drejtim”, ka bërë të ditur ai. Conti ka bërë të qartë ambicien e kompanisë “Enel” për të rifilluar ndërtimin e një centrali bërthamor në Itali, ku ai u rrëzua me referendum që në vitin 1980. “Ne kërkojmë që të shkojmë drejt nuklearit”, ka bërë të ditur Conti , deri sa Italia importon 20 për qind të energjisë elektrike nga Franca që është edhe prodhuesi më i madh i energjisë nga centralet bërthamore. “Unë mendoj se është e drejtë që ne në Itali të kthehemi në idenë e prodhimit të kësaj energjie. Por qeveria Berluskoni mbetet tepër konservatore në drejtim të një prove të re popullore për ndërtimin e një centrali bërthamor në Itali. Vetëm 2 ditë më parë kryeministri Italin, Silvio Berluskoni, ka ftuar për një vizitë në Itali homologun e tij shqiptar. Sipas mediave Italiane një pikë e fortë e diskutimeve do të jetë edhe çështja e ndërtimit të burimeve të energjisë bërthamore apo të asaj me qymyr në Shqipëri. Kompania “Enel” është tashmë në një garë të hapur me një konsorcion greko-gjerman për ndërtimin e termocentralit me qymyr që është parashikuar që të ndërtohet në Porto-Romano. Qeveria shqiptare ka bërë të ditur se kapaciteti i këtij termocentrali do të jetë 800 MW dhe ende nuk është bërë e ditur se kush do të jetë ai që do e ndërtojë këtë TEC, që pjesën më të madh të energjisë së prodhuar do ta ketë për tregun Italian.