Dosja e plotë për Diverolin: Hiqni mbishkrimet kineze
Hetimi i Kongresit Amerikan për kompaninë AEY dhe bashkëpunëtorët e Diverolit në aferën shqiptare të fishekëve
Në fund të seancës së djeshme, Komisioni i Mbikëqyrjes së Reformave në Kongresin Amerikan ka lexuar raportin prej 25 faqesh, për hetimet e kryera ndaj komanisë së drejtuar prej Diverolit. Sipas këtij raporti, si Efraim Diveroli ashtu edhe AEY ndodheshin në listën e dyshuar për trafik armësh të Departamentit të Shtetit, por kjo gjë nuk është verifikuar nga Departamenti i Mbrojtjes. Në të njëjtën listë ndodhen edhe bashkëpunëtorët e Diverolit, Ylli Pinari dhe Henri Tomei. “Shekulli” boton një pjesë të raportit për hetimet e kryera mbi AEY-në.
Si kompania AEY, ashtu edhe presidenti i saj, Efraim Diveroli ndodhen në listën e personave të dyshuar si trafikantë armësh. Ata janë vendosur në këtë listë në prill 2006, nga zyra e Emigracionit dhe Doganave për shkak të shumë shkeljeve në Aktin e Eksportit të Armëve dhe Mashtrimeve. Lista përfshin edhe njerëz si Henri Tomei, presidenti i “Evdin Ltd”, kompania me seli në Qipro që veproi në këtë rast si ndërmjetës dhe Ylli Pinari, ish-kreu i firmës shtetërore shqiptare, MEICO, e cila furnizoi Diverolin me armët nga Shqipëria. Sipas hetimit të kryer në Shtetet e Bashkuara të Amerikës mbi kompaninë AEY, nuk ka asnjë provë që Departamenti i Mbrojtjes kontrolloi listën në vëzhgim të Departamentit të Shtetit, përpara ekzekutimit të kontratës me AEY. Bazuar në intervistat dhe dokumentet e mbledhura, duket se metodat e AEY për të fituar kontrata të majmeishin ofertat shumë më të ulëta se konkurruesit e tjerë, duke u përpjekur të siguronte materialet, pasi kishte marrë paratë e kontratës.
Dërgimi i municioneve ilegale kineze
AEY rrezikon të penalizohet për një sërë shkeljesh të ligjeve, në lidhje me municionet kineze. Biznesmeni shqiptar, Kosta Trebicka, i marrë në punë nga AEY, i ka thënë komisionit se puna e tij ishte heqja e municioneve nga arkat kineze të drurit dhe zëvendësimi i tyre me arka plastike, përpara nisjes drejt Afganistanit. Sipas Trebickës, Diveroli i ka thënë: “Nëse ka ndonjë mbishkrim kinez mbi arka apo mbi pjesët e municioneve, sigurohu që asgjë gjë të mos mbesë në kuti. As mbi kutitë e kartonit”. Disa nga vendet ku kompania AEY ka blerë municione, kanë qenë gjithmonë në kërkim të mënyrave për të hequr qafe municionet e tyre të vjetra. Psh. Bosnja, Bullgaria dhe Hungaria i kanë dhuruar këto municione. Shqipëria ishte vendi kryesor ku AEY siguronte municione. Kur Shqipëria kërkoi të hynte në NATO dhe në Bashkimin Evropian, të dyja këto organizata i vunë si kusht shkatërrimin e armëve të vjetra. Si rezultat, Shqipëria ka shkatërruar municione të vjetra si ato që nisi në Afganistan, sipas kontratës me AEY. Rreth 40 mijë tonë municione janë shkatërruar në Shqipëri, por ka ende edhe 85 mijë tonë të tjerë.
Ndërmjetësit e dyshimtë
Ndërmjetësi i AEY-së në këtë kontratë është firma “Evdin Ltd”, e cila blinte municione nga vendet e Evropës Lindore. Më 22 gusht 2006, presidenti i “Evdin”, Henri Tomei u vendos në listën e të dyshuarve të Departamentit amerikan të Shtetit si trafikant armësh. Por emri i Tomeit gjendej vetëm në dokumentet e CIA-s dhe Shërbimit Inteligjent të Ushtrisë amerikane. Biznesi i AEY me “Evdin” është shtrirë në shumë kontrata. Burimi shqiptar i municioneve ishte firma shtetërore, MEICO, e drejtuar nga Ylli Pinari. Në këtë rast duhej të ishte kontrolluar si Tomei ashtu edhe Pinari, por zyrtarët e Departamentit të Mbrojtjes pohuan në komision se nuk kishin asnjë dijeni për listat në fjalë. Kur zyrtarët e ushtrisë kontrolluan municionin, rezultoi se ai ishte i ndryshkur dhe me shumë probleme. Edhe kutitë ku ai ishte paketuar ishin shumë të dyshimta, pasi nuk kishin asnjë etiketë. Në disa raste, kutitë kishin më pak municione dhe në shumë raste të tjera mungonte krejtësisht dokumentacioni. Në fund të shkurtit të këtij viti, arkat me municionet e AEY nisën të prisheshin. Por Diveroli u mbrojt sërish duke thënë se municionet e tij ishin hungareze. Por oficerët e kontraktimit zbuluan se në fakt bëhej fjalë për municione kineze. Informacione të tjera shtesë i janë dhënë komisionit nga Kostra Trebicka, i cili ka treguar se origjina e municioneve ishte Kina.