Ambasada shqiptare në SHBA, pritje të veçantë për boksierin Kreshnik Qato

Në prag të ndeshjes së vlefshme për titullin Kampion Bote në versionin WBF, boksieri shqiptar, Kreshnik Qato është ftuar në një pritje të veçantë të organizuar nga Ambasada shqiptare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Në pritjen speciale të organizuar në kujdesin e Ambasadorit tonë në SHBA, Aleksandër Sallabanda ishte i pranishëm edhe promotori i boksierit shqiptar,Ylli Ndroqi, dhe organizatorët e supertakimit që do të zhvillohet ditën e shtunë. Gjithashtu në këtë ceremoni ishin të pranishëm sekretari i ambasadës Dritan Mishta si dhe dhjetra shqiptarë të cilët mbështesin boksierin shqiptar. Pritja është zhvilluar në një atmosferë festive, dhe kjo e justifikuar dyfish nga ndeshja dhe pretendimi i boksierit shqiptar për për të mbrojtur titullin "Kampion Bote" në versionin WBF. Ndeshja që do të zhvillohet të shtunën vendos përballë boksierit shqiptar, David Estrada-n. Më parë gjatë një interviste për "Ora News", Qato falenderoi promotorin e tij, Ndroqi, për mbështetjen në prag të ndeshjes së rëndësishme.