E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ambasada e SHBA 20 vjet. Basha: Mirënjohje për NATO e Kosovën

TIRANE-Ambasada amerikane ka nisur sot festimin e 20 vjetorit të rihapjes në Tiranë me një festë të madhe. Sot prej orës 11:00 në rrugën "Murat Toptani" kanë nisur një mori aktivitetesh për të gjithë grupmoshat.

"Panairi i rrugës" të dielën është aktiviteti i parë krahas të tjerëve që do të zhvillohen, ndërsa në këtë festë do të përfshihen gjatë javës disa aktivitete ku ndër ta spikat recepsioni VIP në ambasadë.

Ambasadori amerikan, Arvizu përshëndeti këtë përvjetor dhe festimet që po mbahen në rrugën e Pedalones në Tiranë, rruga "Murat Toptani" . Në fjalën e tij ambasadori theksoi mirënjohjen për shqiptarët që pranuan SHBA dhe vlerat amerikane në Shqipëri.
“20 vjet më parë u shënua një risi të re për këtë vend. U shënua nisje e re për ambasadën amerikane këtu në Shqipëri. Gjatë ketyrë 20 viteve ju na keni sjellë në shtëpitë tuaja, zemrat tuaja, zyrat tuaja dhe na keni lejuar që të bëhemi pjesë e arritjeve tuaja të mrekullueshme gjatë këtyre viteve. Dhe ajo qe ju keni bërë gjatë këtyre 20 viteve na keni lejuar që të bëhemi pjesë e së ardhmes suaj. Ju falenderoj!”.
Arvizu më tej falenderoi Policinë dhe Bashkinë e Tiranës për ndihmesën që i dhane ambasadës për të festuar me anë të një eventi këtë përvjetor të 20-të.

Ambasadori ftoi qytetarët shqiptarë që gjatë këtyre ditëve të shijojnë panairin amerikan në Tiranë dhe të dëfrehen me minikopshtin zoologjik, lodrat për fëmijë e të rritur dhe bandën shqiptare e një amerikane që do performojnë me rastin e këtij përvjetori të vecantë të marrdhënieve Shqipëri-SHBA.

Nga ana e tij kryetari i bashkisë së Tiranës Lulzim Basha theksoi se për qytetarët e Tiranës dhe për shqiptarët anembanë rihapja 20 vite më parë e ambasadës amerilane përbën një ngjarje të madhe me rëndësi kombëtare.

“Kremtimi sot i marrëdhënieve diplomatike mes SHBA-së dhe Shqipërisë ka një domethënie të madhe pasi 20 vite më parë mbi 300 mijë shqiptarë u derdhën rrugëve të Tiranës për dëgjuar mesazhin e ish-Sekretarit amerikan të Shtetit, James A. Beker që liria jep rezultat. Ky mesazh nuk erdhi për surprizë sepse për ne Amerika do të mbetet më shumë se një komb, është një ide e madhe” ka theksuar Basha.

“Ideja e madhe është se liria është e mundur dhe se njërëzit janë krijuar për të qënë të lirë se vetëm në liri njeriu mund të realizojë potencialin e tij të plotë. Ideja është se demokracia jep rezultat dhe zëri i qytetarëve duhet të jetë pjesë e qeverisjes” ka theksuar më tej Basha.

Sipas kryebashkiakut te Tiranes sot ka shumë arsye pse duhet falenderuar SHBA, ndërsa vlerësoi marrdhënien mes dy vendeve.
“Ne kemi shumë arsye të falenderojmë SHBA, rolin vendimtar për lirinë e pavarësinë e Kosovës, për mbështetjen e fuqishme për anëtarësimin e Shqipërisë në NATO, dhe më lejoni këtu të kujtoj sot qindra djem shqiptar që shërbejnë krah për krah anëmbanë rruzullit përkrah amerikanëve.
Nuk mund të shikonim një mik më të mirë se SHBA. Dhe si kryetar i bashksië do bëj gjithcka që kjo miqësi të rritet dhe konsolidohet”.

SHBA-SHQIPËRI, 20 VITE MIQËSI E RILIDHUR
"Festojmë 20 vite miqësi të rilidhur mes popullit të Shteteve të Bashkuara dhe atij të Shqipërisë”. Është ky lajtmotivi i aktiviteteve festive që ambasada amerikane në Tiranë ka nisur të dielën paradite në rrugën pedonale në Tiranë, pranë Galerisë së Arteve, me rastin e 20 vjetorit të rihapjes së saj pas rënies së regjimit komunist në Shqipëri
Larg aktiviteteve protokollare, ambasada amerikane ka menduar një festë ndryshe në këtë përvjetor, një festë që përgjatë gjithë ditës do të shoqërohet me panairin e rrugës, koncerte nga grupe të njohura shqiptare, ekspozita për fëmijë dhe të rritur, ekspozita dhe stenda informative mbi jetën amerikane, karaoke, etj.
Pas ekzekutimit të Himinit Kombëtar të dy vendeve, në rrugën pedonale ka parakaluar dhe Banda e Marinës së Shteteve të Bashkuara, e cila ka ardhur enkas për këtë aktivitet festiv.
Pas mbajtjes së fjalës së rastit, ambasadori Arvizu, i shoqëruar nga stafi i tij dhe kryebashkiaku Basha, ka ecur përgjatë rrugës pedonale dhe është takuar me qytetarët e pranishëm.
Aktiviteti i sotëm për këtë 20 vjetor të rihapjes së ambasadës amerikane, nuk është i vetmi. Në 4 tetor, ambasada e SHBA-së në Tiranë, do të organizojë një pritje për VIP-at, më pas një simpozium me gazetarë, akademikë, aktiv në vitet 1991-1992, me qëllim për të ofruar retrospektivën dhe pikëpampjet e tyre mbi zhvillimet sot, etj.
Ambasadori Arvizu ka thënë më parë për mediat se të pranishëm mund te jenë edhe disa diplomatë që kanë shërbyer më parë në Shqipëri.
Marrëdhëniet diplomatike mes SHBA dhe Shqipërisë u rivendosën në 15 mars të vitit 1991, pas një shkëputje prej 52 vitesh. Pas disa muaj, në 1 tetor, do të rihapej dhe ambasada amerikane në Tiranë.
“Marrëdhëniet mes vendeve tona e kanë fillimin në vitet e para të shekullit të XX, kur Presidenti Uillson zgjeroi mbështetjen amerikane për shtetin e ri shqiptar. Marrëdhënia nuk u harrua asnjëherë nga disa mijëra amerikanë me origjinë shqiptare, të cilët mbajtën lidhjet me atdheun e tyre gjatë gjithë këtyre viteve”, shkruante në 15 mars të vitit 1991, Raymond G.H. Setiz, zv.sekretari për marrëdhëniet Evropiane dhe Kanadez

(d.b/BalkanWeb) Lidhje te tjera VIDEO: Ambasada e SHBA 20 vjet. Basha: Mirënjohje për NATO-n e Kosovën

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›