E Shtunë, 31 Tetor 2026

Fushë-Krujë, 300 të dënuar në grevë urie

Nëpërmjet një letre drejtuar mediave, të burgosurit kanë deklaruar se kanë nisur grevën që më datë 28 shtator

FUSHË-KRUJË Nëpërmjet një letre të shkruar nga burgu, drejtuar të gjitha mediave, të burgosurit e burgut të Fushë-Krujës janë futur në grevë urie. “Njoftojmë se, si rezultat i masave të ashpra që janë marrë nga komanda e re e burgut, e ndërruar pas arratisjes së mbetur në tentativë të 4 të dënuarve me burgime të rënda, jetesa e të burgosurve është bërë tmerrësisht e padurueshme.

Sipas tyre, greva e urisë ka nisur që në datë 28 shtator, për arsye sigurie nuk është bërë e ditur. Në letrën drejtuar mediave, të burgosurit kanë shtuar se “rreth 300 të dënuar kanë hyrë në grevë duke refuzuar ushqimin dhe nxjerrë frigoriferët në korridor, për arsye se u janë reduktuar shumë të drejta dhe nuk gëzojnë kushtet minimale të jetesës për të vuajtur dënimin”. Në këtë letër, ata kanë vendosur dhe 16 pika, të cilat sipas tyre, nuk janë plotësuar nga ana e drejtorisë së këtij burgu të sigurisë së lartë. “Nuk funksionojnë dushet me ujë të ngrohtë dhe të ftohtë. Nuk funksionon sistemi i ngrohjes. Nuk ka vend për tharjen e rrobave, pasi në dritare na është ndaluar dhe se dhomat brenda kanë shumë lagështirë. Dyqani i brendshëm i burgut nuk është korrekt, pasi shumë artikuj mungojnë dhe çmimet janë më të shtrenjta se jashtë. Burgu ka mbipopullim të dhomave. Nga 4 vetë që kanë kapacitetin, ato janë populluar me nga 6 persona. Është kufizuar ushqimi që vjen nga familjarët deri në 5 kg për njeri në 7 ditë, ndërkohë që ushqimi i burgut, sipas tyre nuk është higjienik dhe i shëndetshëm, por edhe cilësia është e fundit fare. Dhomat nuk kanë aspirim ajri dhe shpesh mungon energjia elektrike. Lejet shpërblyese nuk funksionojnë më sipas ligjit në çdo 3 muaj. Këtu ndikon edhe ryshfeti. Shërbimi mjekësor nuk është në nivelin e duhur, duke kujtuar se një muaj më parë aty vdiq një i burgosur”.

Disa ditë më parë, në burgun e Fushë-Krujës, 4 të dënuar, tre prej të cilëve me burg përjetë, kanë tentuar të largohen, por janë pikasur nga gardiani i burgut. Si pasojë, drejtori i burgut ka dhënë dorëheqjen, ndërkohë që janë larguar nga puna disa gardianë dhe njëri prej tyre është në burg.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›