E Shtunë, 31 Tetor 2026

Zani Çaushi rreh dy të dënuar në burgun e Korçës

I forti i “Çoles”, i dënuar me burgim të përjetshëm, është rrahur me dy të dënuar të tjerë teksa shkonin në tualet në mëngjes dhe më pas ka përfunduar në dhomën e izolimit

Korçë Zani Çaushi është kthyer në protagonistin e një grindjeje, e shoqëruar më pas me dhunë ndaj dy personave të dënuar në burgun e Drenovës, vetëm 3 kilometra larg qytetit të Korçës. Ngjarja është regjistruar mëngjesin e së shtunës në ambientet e brendshme të burgut, në kohën kur të dënuarit shkojnë në tualet. Emrat e dy të dënuarve të tjerë ende nuk bëhen të ditur për arsye hetimore.

Sherri

Myrteza Çaushi, i njohur me emrin Zani Çaushi, është grindur fillimisht me fjalë me dy të dënuarit, ndërsa janë vënë në veprim grushtet. Keqtrajtimi ndaj dy të dënuarve ka zgjatur deri në ndërhyrjen e gardianëve të burgut, të cilët kanë vepruar për të evituar një acarim të mëtejshëm të situatës. Më pas, Zani Çaushi, i dënuar me dënimin kapital është izoluar, ndërsa kanë nisur dhe hetimet për incidentin në fjalë. Duke iu referuar të dhënave nga burgu i Drenovës mësohet se, pas ngjarjes janë shtuar më tepër masat e sigurisë, ndërkohë që Çaushi është duke u mbajtur nën vëzhgim të posaçëm, megjithëse do t’i duhet t’i nënshtrohet izolimit, një masë e njohur ndëshkimore që aplikohet në raste të tilla. Myrteza Çaushi është një emër i njohur i botës shqiptare të krimit. I dënuari “VIP”, është grindur në ambientet e burgut me dy të burgosur të tjerë, ndërsa ngjarja është parë dhe nga të tjerë të dënuar, të cilët kanë vënë alarmin për t’u ndërhyrë në kohë nga njerëzit e sigurisë.

I dënuari

Zani Çaushi është i dënuar me burgim të përjetshëm për një sërë veprash penale të ndodhura gjatë vitit të mbrapshtë 1997, në zonën e Vlorës. Ai u transferua në burgun e Korçës vetëm disa muaj më parë, pas incidenteve të ngjashme, të regjistruara në burgjet e sigurisë së lartë, si në Burrel ashtu dhe në Peqin. Ngjarja ka vënë në alarm policinë e burgut, ndërsa për të është njoftuar më pas dhe Policia e Shtetit. Gjithsesi, hetimet vazhdojnë për të zbardhur shkaqet e sherrit që ka nisur si i tillë dhe ka përfunduar në keqtrajtimin ndaj dy të burgosurve për krime të rënda, emrat e të cilëve, për arsye hetimi nuk bëhen të ditur. Irena Vreto

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›