E Shtunë, 31 Tetor 2026

Precedentët, Turgut dhe Elezaj u arratisën nga “arresti shtëpiak”

Gjykata e Apelit dhe ajo e Shkallës së Parë, nëpërmjet dy vendimeve të ndryshme liruan Abdulselam Turgut, i kërkuar në Gjermani për trafikun e 1 ton heroinë dhe Hajri Elezajn, i dyshuar për mashtrimin me naftën virxhin

Tiranë Vendimi i Gjykatës së Lezhës për të liruar një të kërkuar nga drejtësia italiane, pason një tjetër skandal që mban firmën e tre gjyqtarëve të Gjykatës së Apelit Tiranë. Në mars të këtij viti, Gjykata e Apelit rrëzoi vendimin e Shkallës së Parë për caktimin e arrestit të përkohshëm ndaj shtetasit turk Abdulselam Turgut, i cili kërkohej nga drejtësia gjermane për trafikimin e 1 ton heroinë përgjatë viteve 2007-2009. Shtetasi turk mbërriti në Shqipëri nëpërmjet aeroportit të Rinasit i shoqëruar nga një femër, më 18 shkurt të këtij viti. Në bazë të një urdhër-arresti ndërkombëtar të lëshuar nga drejtësia gjermane, policia e Rinasit kreu arrestimin e 44-vjeçarit, i cili pas tri ditësh u dërgua për caktimin e masës në Gjykatën e Tiranës. Shkalla e Parë vendosi “arrest me burg” me afat 30-ditor ndaj 44-vjeçarit Turgut. Por pak ditë më pas, Gjykata e Apelit e ndryshoi këtë vendim, duke caktuar masën e sigurisë “arrest shtëpie” ndaj të kërkuarit nga drejtësia shqiptare. Si adresë zyrtare, gjykata citoi në vendim një apartament që ndodhet në katin e 8-të të një pallati në zonën e Kthesës së Kamzës. Pasi mbërriti dosja nga Gjermania dhe prokuroria shqiptare kërkoi ekstradimin e Abdulselam Turgut drejt këtij vendi, policia nuk arriti të gjejë të kërkuarin në adresën e specifikuar në vendimin e Gjykatës së Apelit. Ky rast, përveçse shkaktoi tendosje të marrëdhënieve mes autoriteteve gjermane dhe atyre shqiptare, vuri në lëvizje edhe Këshillin e Lartë të Drejtësisë, i cili urdhëroi një inspektim vetëm për këtë rast në Gjykatën e Apelit. Por kur kanë kaluar rreth 7 muaj nga nisja e inspektimit, KLD-ja nuk ka bërë publike asnjë rezultat mbi këtë rast. Por listës së skandaleve i shtohet edhe një tjetër rast flagrant, që këtë radhë ka të bëjë me një të kërkuar nga drejtësia shqiptare. Hajri Elezaj, bosi i kompanisë “Euroil”, i akuzuar për mashtrim, falsifikim dokumentesh dhe pastrim parash, është shpallur në kërkim pas largimit nga banesa e tij, ku ndodhej në “arrest shtëpie”. Fillimisht, Gjykata e Tiranës caktoi masën e sigurisë “arrest me burg”, vendim ky që u miratua nga Gjykata e Apelit dhe Gjykata e Lartë. Për shkak të gjendjes shëndetësore, Elezaj depozitoi një kërkesë me objekt revokimin e vendimit, dhe Gjykata e Tiranës pas një raporti të një grupi ekspertësh mjekoligjorë vendosi të ndryshojë masën e sigurisë duke lënë në arrest shtëpie Elezajn. Apeli vendosi të prishë këtë vendim, duke rikthyer të dyshuarin në qeli, por policia nuk mundi të gjejë në banesën e tij bosin e “Euroil”, i cili dyshohet si një nga organizatorët e skemës së mashtrimit me naftën virxhin.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›