Biznesi kosovar e tregoi veten
Oda Ekonomike e Kosovës ka falënderuar kompanitë kosovare, të cilat me mjete financiare ndihmuan tejkalimin e pasojave të përmbytjeve në Shkodër.
Në një takim me përfaqësuesit e biznesit, të cilët financiarisht ndihmuan Shqipërinë në tejkalimin e pasojave të vërshimeve në Shkodër, ku mori pjesë edhe ambasadori i Shqipërisë në Kosovë Islam Lauka, kryetari i Odes Ekonomike të Kosovës Besim Beqaj tha se sado që ndihmat që u dërguan ishin solidare, në krahasim me nevojat që ka Shkodra, ato përcollën mesazhin se i gjithë komuniteti i biznesit në Kosovë e kishte ndier rendë përmbytjet dhe pasojat e tyre.
“Kisha dashur që t’i falënderoj publikisht të gjithë ata, të cilët kanë dhënë ndihmë, gjithashtu edhe ambasadorin, i cili ka pasur një angazhim permanent dhe e ka dërguar në kohë mesazhin e biznesit te Qeveria”, tha Beqaj.
Ndërsa ambasadori Lauka tha se ndihma e bizneseve nga Kosova ishte një mesazh i fortë që dërgohet nga Kosova. Sipas tij, ndihma ka pasur në nivel qendror dhe lokal.
“Ambasada është prekur emocionalisht nga vërshimi i telefonatave dhe letrave në shenjë përkrahjeje dhe gatishmërie për të ndihmuar me aq mundësi sa kanë”, tha ai.
Një delegacion nga Kosova, i kryesuar nga Besim Beqaj, ka qëndruar për disa ditë në Shqipëri, ku kanë zhvilluar takime me prefektin e Shkodrës, zëvendëskryeministrin Ilir Meta, ministrin e Shëndetësisë dhe shefin e Shtabit emergjent në nivel të vendit.