E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ambasadorët Arvizu, Sekui e Volfart takojnë Berishën

03/05/2011  Ndërkombëtarët rritin interesimin e tyre për zgjedhjet e së dielës

Takimi 30-minutësh mes kryeministrit dhe tre ambasadorëve në Tiranë

Tashmë nuk përbën ndonjë gjë e re që diplomatët e huaj kanë rritur interesimin e tyre për zhvillimin e zgjedhjeve lokale të 8 majit në vendin tonë. Mbarëvajtja e procesit zgjedhor në tërësi, plotësimi i standardeve zgjedhore janë në qendër të mesazheve të ndërkombëtarëve në këto ditë të fundit të fushatës. Ambasadorët e akredituar në Tiranë i kanë shpeshtuar ditët e fundit apelet e tyre për mbarëvajtje të procesit zgjedhor të 8 majit dhe mbajtjen e zgjedhjeve të lira e të ndershme, që sipas tyre do të shënojnë një hap të rëndësishëm për rrugën e integrimit të Shqipërisë në BE. Ndërkohë ka nisur numërimi mbrapsht për zgjedhjet vendore të 8 majit, tre ambasadorët e partnerëve ndërkombëtarë: ambasadori amerikan Aleksandër Arvizu, ai i BE-së Etore Sekui dhe i OSBE-së Eugen Volfart kanë qenë së bashku në një takim 30-minutësh te kryeministri Sali Berisha. Takimet e shpeshta të ambasadorëve me krerët e politikë në vend kanë si lajtmotiv mbarëvajtjen e zgjedhjeve. Ndërkohë ndërkombëtarët në deklaratat e tyre shpeshherë u kanë kërkuar palëve të angazhohen për zgjedhjet të lira dhe të ndershme, duke shtuar se këto janë zgjedhjet për shqiptarët, pasi do të kenë ndikim të drejtpërdrejtë në integrimin e vendit. Ndërkohë ambasadori i OSBE-së, Eugen Volfart u shpreh dje pas takimit me drejtorin e Policisë së Shtetit se policia është duke bërë përgatitje të shkëlqyera për ditën e zgjedhjeve dhe ajo është e ndërgjegjshme që në këto zgjedhje duhet të kemi akses të plotë dhe zgjedhje të lira.

Integrimi

Më shumë se një herë ndërkombëtarët kanë theksuar me forcë se 8 maji është vendimtar për ecurinë e proceseve të vendit tonë drejt BE-së, dhe kjo konfirmohet me faktin se vetëm dy javë pas zgjedhjeve, më datën 21 maj, do të mbërrijë në Tiranë presidenti i KE-së Hose Manuel Barroso.

Mbështetja

“Prezenca e OSBE-së në Shqipëri do të ndihmojë Policinë e Shtetit në lidhje me çështje të komunikimit për të mbuluar edhe disa zona të largëta të Shqipërisë. Policia e Shtetit është duke u përgatitur në mënyrë të shkëlqyer, në mënyrë që në Shqipëri të kemi zgjedhje të qeta, efiçente dhe të suksesshme”, - tha dje ambasadori i OSBE-së Volfart.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›