E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gruaja plagos rojën e motelit: Tentoi të më përdhunonte

03/05/2011  Kishte prenotuar të flinte një natë

KORÇE- Një 45-vjeçare, banore e qytetit të Korçës ka mund të lërë të plagosur rëndë një 56-vjeçar, i cili punonte roje në një motel që gjendej në afërsi të qytetit të Maliqit. Megjithatë, pas marrjes së ndihmës mjekësore i dëmtuari ndodhet jashtë rrezikut për jetën. Autorë të kësaj ngjarjeje janë 45-vjeçarja me inicialet Lindita M. dhe 56- vjeçari Abdurrahman L., banues në fshatin Libonik të Korçës. Sipas 45-vjeçares, konflikti mes tyre kishte ndodhur sepse 56- vjeçari kishte tentuar t’i hynte me forcë në dhomën e hotelit dhe të abuzonte seksualisht me të, gjë që kishte detyruar 45-vjeçaren që të përleshej me rojën e hotelit. Mësohet gjithashtu se sherri kishte nisur fillimisht te dera e dhomës së hotelit, por që do të vazhdonte edhe në ambientet e jashtme të motelit. Kur dy shtetasit (vazhdimisht duke u grindur) ishin gjendur në oborrin e ndërtesë, gruaja e kishte qëlluar rojën me sende të forta, duke e lënë të shtrirë për tokë dhe pa ndjenja. Pas kësaj ajo ishte larguar nga vendi i ngjarjes, por nuk do të vononte shumë që gruaja të kapej nga policia. Burime të Drejtorisë së Policisë në Qarkun e Korçës, në lidhje me këtë ngjarje, bënë të ditur se ditën e hënë në orët e pasdites, policia kishte bërë të mundur arrestimin në flagrancë të shtetases Lindita M., 45 vjeçe, banuese në qytetin e Korçës, me gjendje civile, e divorcuar. Sipas policisë, arrestimi i kësaj shtetaseje është bërë sepse një ditë më parë, në orët e vona të natës, në afërsi të qytetit të Maliqit, në ambientet e një moteli, kishte plagosur me sende të forta shtetasin Abdurahman L, 56 vjeç, banues në fshatin Libonik të Korçës, i cili punonte si roje në këtë motel. Ndërkaq shtetasja me inicialet Lindita M. ka ngritur pretendimin se ditën e diel, kur kishte prenotuar qëndrimin për një natë në motel, shtetasi Abdurahman L. ishte përpjekur t’i hynte në dhomë dhe të abuzonte seksualisht me të. Kanë qenë kalimtarët e rastit ata që e kishin transportuar të dëmtuarin në spitalin civil të Korçës, i cili aktualisht pas mjekimit të marrë ndodhet jashtë rrezikut për jetën. Ndërkaq burimet policore saktësuan se vepra penale që rëndon ndaj shtetases të sipërpërmendur është ajo e “plagosjes së rëndë me dashje”, parashikuar nga neni 88 i Kodit Penal. V. Hasani

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›