Ambasadorët, Beja: Nuk kemi çuar propozime politike
TIRANË Dekretimi i disa ambasadorëve të rinj shqiptarë është një tjetër debat, që vijon të mbetet mes Presidentit të Republikës dhe mazhorancës. Në intervistën e fundit të dhënë për vitin që lamë pas, Presidenti i Republikës, Bamir Topi, deklaroi se ka një raport të caktuar midis trupës diplomatike të karrierës dhe atyre që katapultohen nga politika, duke shtuar se ky raport ishte prishur për shkak të propozimit të kandidaturave politike. Por kryetari i komisionit të Jashtëm, aty ku kalojnë edhe kandidatët për ambasadorë, Fatos Beja, deklaroi dje se në listën e propozimeve nuk ka pasur të tillë. "Përtej diskutimeve me karakter politik, unë mund të kujtoj që, dhe ju ftoj të merrni ambasadorët që janë në të gjitha vendet, që në Ministrinë e Jashtme dhe në ambasadat tona, në mënyrë të veçantë titullarët, mishërojnë historinë e diplomacisë së fundit shqiptare. Kemi aty ambasadorë që kanë filluar karrierën e tyre diplomatike në vitet ‘80, kemi ambasadorë që kanë filluar punën e tyre, marrëdhëniet e tyre me Ministrinë e Jashtme në vitet ‘90 dhe në vitet 2000. Pra, edhe ambasadorët, që dalin nga kuadri i Ministrisë së Jashtme, mishërojnë individë me aftësi që janë gjykuar të përshtatshëm për të përfaqësuar Shqipërinë, me kompetenca profesionale, me përvojë në diplomaci dhe njëkohësisht edhe me një performancë publike, sipas vendeve në të cilët do përfaqësojnë Shqipërinë", - tha Beja. Ambasadorët e rinj (që janë gjashtë të tillë) emërohen nga Këshilli i Ministrave, i dërgohen komisionit të Jashtëm në seancë dëgjimore dhe më pas presin firmën e Presidentit për dekretim.