Ambasadorët, Berisha tërhiqet përballë Topit
ADI SHKEMBI
Kryeministri Berisha tërhiqet përfundimisht përballë Presidentit Topi nga kandidatura e Mal Berishës si ambasador në Gjermani. Pas muajsh të tërë heshtjeje nga ana e Presidentit Topi, e cila u përkthye si refuzim, qeveria do të dërgojë një emër tjetër në tavolinën e kreut të shtetit. Bëhet fjalë për Valter Ibrahimin, i cili është propozuar për të zënë vendin e mbetur bosh prej disa muajsh për shkak të mbarimit të mandatit të Gazmend Turdiut. Ibrahimi është aktualisht ambasador i Shqipërisë në Austri. Tirana zyrtare përfaqësohet në shtetin më të fuqishëm ekonomikisht të Evropës me një prej drejtorëve të saj, Gazmend Barbullushin. Burime zyrtare nga Komisioni i Jashtëm bëjnë të ditur për gazetën, se javën e ardhshme ky komision do të zhvillojë seancë dëgjimore me tre emra të propozuar nga qeveria. Përveç Valter Ibrahimit, Qeveria ka propozuar Shpëtim Çaushin si ambasador të Shqipërisë në Serbi dhe Sokol Gjokën si ambasador në Rusi. Në Beograd prej pak kohësh i ka përfunduar mandati ambasadorit Spiro Koçi, dhe zëvendësimi i tij bëhet akoma më imediat po të kihet parasysh momenti i rëndësishëm lidhur me qëndrimin ndaj Kosovës. Gjithashtu edhe në Moskë prej disa muajsh Shqipëria nuk përfaqësohet në nivel ambasadori për shkak të tërheqjes së shkrimtarit të njohur Teodor Laço. Por marrëdhëniet e ftohta mes Qeverisë dhe Presidencës kanë prekur drejtpërdrejtë edhe diplomacinë. Si pasojë e kësaj gjendje, deri pak ditë më parë shteti më i ri në Evropë për të cilin Shqipëria u investua aq shumë, Kosova dhe Organizata e Kombeve të Bashkuara, ishin pa ambasadorë. Kreu i shtetit firmosi në fund të muajit janar dekretin për emërimin e Islam Laukës në Prishtinë dhe sekretarit të përgjithshëm të Ministrisë së Jashtme, Ferid Hoxha në Nju Jork. Ndërkohë gjendja e pandryshuar është në disa prej përfaqësive të tjera diplomatike. Kështu veç Rusisë, Gjermanisë dhe Serbisë, për të cilat shpresohet që procedurat burokratike dhe lufta e ftohtë mes krerëve të shtetit të mos pengojnë emërimet, Shqipëria nuk ka ende ambasador në Spanjë, Maqedoni dhe Egjipt. Vendi i madh arab drejtohet prej dy vjet e gjysmë nga i ngarkuari me punë i Ministrisë së Jashtme, ndërkohë që dimë se Kajro luan një rol të fuqishëm në rajon për mosnjohjen e shtetit të ri të Kosovës. Që pas largimit të Viktor Kalemit, Shqipëria nuk ka mundur të emërojë dot përfaqësuesin më të lartë diplomatik edhe në këtë vend. Ndërkohë në Shkup, që prej 7 muajsh i ka përfunduar mandati edhe ambasadorit, Vladimir Prela, ndërsa Arben Çejku, i cili do ta zëvendësojë dhe ka marrë edhe pëlqimin e palës maqedonase, nuk ka nisur nga puna, për shkak se Prela vazhdon të qëndrojë në Shkup.
Shpëtim Çaushi
I propozuar nga Qeveria si ambasador i Shqipërisë në Serbi, Shpëtim Çaushi ka qenë më parë përfaqësues i përhershëm i Shqipërisë në Këshillin e Evropës. Gjatë një aktiviteti diplomatik në Tiranë në vitin 2002, ai ka mbajtur referatin me temë “Diplomacia shqiptare në normalizimin e marrëdhënieve me Gjermaninë”.
Sokol Gjoka
I propozuar si ambasador i Shqipërisë në Rusi, Sokol Gjoka ka qenë më parë ambasador i vendit tonë në Poloni. Në vitin 1999, ai ka pasur funksionin e zëdhënësit të Kryeministrit të asaj kohe, Pandeli Majko. Gjithashtu ai ka mbajtur edhe postin e zëdhënësit në Ministrinë e Jashtme gjatë kohës që ky institucion drejtohej nga Paskal Milo.
Valter Ibrahimi
Propozimi i qeverisë për ambasador në Gjermani, Valter Ibrahimi është aktualisht ambasador në Austri. Këtë post e mban që nga marsi i vitit 2006. Në periudhën dhjetor 2002-janar 2006 ka qenë drejtor për Integrimin Evropian. Ndërkohë në periudhën gusht 2002-tetor 2002 ka qenë kreu i seksionit të marrëdhënieve me SHBA në Ministrinë e Jashtme.