E Shtunë, 31 Tetor 2026

Betohet KQZ, sot zgjidhet nënkryetari

 

Shtatë anëtarët e rinj të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve janë betuar për herë të para përpara Kuvendit të Shqipërisë. Procedura e re u zhvillua bazuar në nenin 13 të Kodit Zgjedhor, si dhe është menaxhuar nga ana e Kryeparlamentares Jozefina Topalli. Të shtatë anëtarët dolën përpara podiumit kryesor dhe pas leximit të formulës së betimit nga ana e Kryeparlamentares kanë shprehur njëzëri frazën: “Betohem”. Pastaj në formën e dekreteve, Topalli u ka shpërndarë vendimin e posaçëm të gjithë anëtarëve, Arben Ristanit, Klement Zgurit, Pandeli Varfit, Vera Shtjefnit, Dëshira Subashit, Artan Lazaj dhe Hysen Osmanajt. Pas këtij procesi mësohet se KQZ-ja e re do të mblidhet direkt në ditën e sotme për të nisur menjëherë nga puna. Gjithashtu në mbledhjen e paralajmëruar mësohet se do të zhvillohet edhe zgjedhja e nënkryetarit të ri të KQZ-së. Kryetari i porsazgjedhur, Arben Ristani ka thirrur mbledhjen për zgjedhjen e zëvendësit. Sipas Kodit Zgjedhor, posti i nënkryetarit i takon anëtarëve të KQZ-së të zgjedhur nga ana e partisë më të madhe opozitare. PS-ja ka zgjedhur si përfaqësues të saj në këtë institucion, Dëshira Subashin dhe Artan Lazajn. Edhe pse do të jetë vota e fshehtë ajo që do të përcaktojë, sipas burimeve mësohet se më pranë këtij posti është anëtarja e vjetër, Dëshira Subashi. KQZ-ja me ligjin e ri ka formën e institucionit bipartizan, ku mbi të gjitha asnjë vendim nuk merret po nuk firmosën pro kryetari dhe nënkryetari i KQZ-së.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›