Berisha takon Biden, SHBA: Ju mbështesim për reformat
ADI SHKEMBI
Administrata e re amerikane mbështet plotësisht Shqipërinë në përpjekjet në rrugën e reformave. Në ditën e dytë të vizitës në SHBA, Kryeministri Berisha është takuar me zv.presidentin Joe Biden, ish-kandidatin për president, John McCain si dhe ka marrë pjesë në Mëngjesin e Lutjeve. Paraditen e djeshme kreu i qeverisë ka pasur një sërë takimesh me zyrtarë të lartë të administratës amerikane si dhe ka mbajtur një fjalim në drekën e shtruar para ceremonisë. Sipas njoftimit të zyrës së Këshillit të Ministrave, zv.presidenti amerikan Biden u shpreh se administrata e re amerikane do të mbështesë plotësisht Shqipërinë në përpjekjet e saj për ndërtimin dhe forcimin e një shoqërie demokratike dhe në rrugën e reformave integruese. “Kryeministri Berisha, duke vlerësuar lart rolin dhe aktivitetin e zëvendëspresidentit amerikan, Joe Biden, e ftoi atë për një vizitë në Shqipëri, duke u shprehur se kjo vizitë do të ishte një kënaqësi shumë e madhe për Shqipërinë dhe shqiptarët, ftesë e cila u pranua me kënaqësi nga zëvendëspresidenti amerikan Joe Biden”, thuhet më tej në njoftimin për shtyp. Kreu i Qeverisë ishte i ftuar në drekën e përgatitur nga komiteti organizator i Mëngjesit të Lutjeve, me pjesëmarrjen e 1200 të ftuarve, kongresmenë, senatorë, zyrtarë të lartë të administratës amerikane etj. Në fjalën e tij kreu i qeverisë u ndal te historia e Shqipërisë, duke theksuar se “si një nga kombet më të vjetra në kontinent, ai është ballafaquar me shumë, shumë vështirësi. Historia e tij ka qenë historia e mbijetesës. Ka vuajtur shumë pushtime, diktatura të tmerrshme. Sapo fituam lirinë, ne filluam të lëvizim në drejtimin të hapësirës së lirisë. Ishte ndihma dhe mbështetja juaj që theu kufijtë dhe e ktheu vendin tim në drejtimin që ai ka tashmë drejt demokracisë”. Teksa foli për zhvillimin e vendit gjatë dy dekadave të fundit, Kryeministri Berisha tha se në 1992, kur ai mori postin e Presidentit, kishte një rrogë mujore prej vetëm 16 dollarë. Në ditën e dytë të vizitës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Kryeministri Berisha prezantoi reformat e ndërmarra nga Shqipëria për anëtarësimin në NATO. Kreu i qeverisë u takua me senatorin John McCain, i cili ishte edhe kandidati republikan për presidentin në zgjedhjet e vitit 2008. “Kryeministri Berisha e njohu McCain me procesin e anëtarësimit në NATO, si dhe me reformat e qeverisë që ndikuan në përshpejtimin e këtij procesi.
Pas pasqyrës së zgjeruar të bërë nga Berisha për luftën ndaj krimit te organizuar dhe korrupsionit, reformat ekonomike, shndërrimin e imazhit të Shqipërisë në një vend tërheqës dhe i sigurt për investimet e huaja, senatori McCain vlerësoi sukseset e qeverisë shqiptare dhe reformat e qeverisë si shumë mbresëlënëse”, thuhet në njoftimin e zyrës së shtypit të Këshillit të Ministrave. Nga ana e tij, McCain u interesua për rrugët dhe mënyrat për thellimin e mëtejshëm të marrëdhënieve mes dy vendeve, duke vlerësuar rolin e palëkundur të Shqipërisë në kuadër të partneritetit dhe aleancës me SHBA-të. Biseda u përqendrua edhe në çështjen e Kosovës. Senatori McCain është një mbrojtjes dhe luftëtar i kësaj çështjeje.
Vizita
Në Uashington Kryeministri Berisha u takua me përfaqësues të diasporës shqiptare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, me dy nga organizatat më të fuqishme të diasporës dhe lobimit shqiptar, shoqatës atdhetare “Vatra” dhe të Këshillit Kombëtar Amerikano-Shqiptar (NAAC). Gjithashtu kreu i qeverisë shqiptare zhvilloi takim edhe me zëvendëssekretarin e Mbrojtjes së SHBA-së, Gordon England, ish-sekretarin e Mbrojtjes së SHBA-ve, William Cohen dhe Daniel Ramsfeld.
Berisha fton Pelosin në Tiranë
Gjatë qëndrimit në Uashington, Kryeministri Berisha i shoqëruar nga kryetari i Partisë Republikane, deputeti Fatmir Mediu, takoi spikeren e Dhomës së Përfaqësuesve të Kongresit amerikan, Nancy Pelosi. Sipas njoftimit për shtyp, “zonja Pelosi, pas ftesës së bërë nga Kryeministri Berisha, shprehu kënaqësinë për të vizituar Shqipërinë, vend për të cilin nuk i ishte dhënë mundësia më parë për ta vizituar”.