E Diel, 1 Nëntor 2026

Topi: Pas pak ditësh Shqipëria me të drejta të plota në NATO

 

Pasi ka lënë pas debatet e politikës së ditës si ligji i “Dosjeve” apo ai i Prokurorisë, Presidenti Topi i është rikthyer takimeve me qytetarët. Qyteti i Përmetit ka qenë ndalesa e radhës e kreut të shtetit. Pas pritjes në sheshin “Abdyl Frashëri” nga prefekti i Qarkut të Gjirokastrës, Spiro Ksera dhe përfaqësues të lartë vendorë të zonës, Topi u ndal për disa minuta në takim me qytetarët. Më pas ai zhvilloi një takim të shkurtër me kryetarin e Bashkisë, Edmond Komnino dhe në vijim me anëtarë të këshillit bashkiak, kryetarë të komunave përreth, intelektualë dhe biznesmenë. Në fjalën para të zgjedhurve vendorë dhe banorëve vendas, kreu i shtetit tha se brenda pak ditësh Shqipëria do të jetë anëtare me të drejta të plota në NATO. Sipas tij, “Shqipëria nuk është më e kohës kur shkruhej poema ‘Bagëti e Bujqësi’, Shqipëria pas shumë pak ditësh do të jetë një vend anëtar me të drejta të plota në NATO, një gjë e paimagjinueshme vite më parë, dhe të jesh anëtare e NATO-s do të thotë të t’i hapen perspektiva të reja Shqipërisë kudo në institucionet e saj, por dhe qytetarëve në çdo cep”. Riorganizimi i sistemit gjyqësor ka qenë pjesë e problematikës së trajtuar prej Presidentit Bamir Topi në vizitën e parë zyrtare në qytetin e vogël jugor të Përmetit. Shkrirja e Gjykatës dhe Prokurorisë së këtij rrethi është parashtruar nga pushtetarët vendorë si një problem mjaft shqetësues për komunitetin e zonës. Një rëndësi të veçantë presidenti i ka kushtuar gjithashtu kërkesës së paraqitur për vendosjen në dispozicion të zhvillimit të qytetit të Përmetit, të një sipërfaqeje të konsiderueshme toke, në të cilën prej vitesh ndodhet një repart ushtarak jashtë funksionit. “Probleme të tjera kanë dalë edhe pas riorganizimit të pushtetit gjyqësor, të gjykatave, të cilat me një vendim të Këshillit të Lartë të Drejtësisë të 28 gushtit të vitit 2007 janë organizuar mbi bazë qarku. Faktikisht këto janë eksperienca të reja, të cilat vijnë edhe si pasojë e spostimeve demografike dhe të çështjeve që kanë në përdorim gjykatat. Gjithsesi unë jam i ndjeshëm si kryetar i KLD-së për ta marrë si shqetësim dhe për ta trajtuar nëpërmjet mekanizmave kompensues”.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›