PS denoncon me emra: Po ngrihet policia elektorale me të inkriminuar
Partia Socialiste ngre pretendimin se në postet drejtuese të policisë, qeveria aktuale po vendos njerëz me një të kaluar të dyshimtë. Deputeti i PS-së, Pirro Lutaj, në një konferencë për shtyp deklaroi se “Nuk ka se si të ndodhë ndryshe, kur në krye të Komisariateve të Policisë dhe disa Drejtorive të Policisë në qarqe po vendosen njerëz me sfond të theksuar politik, ish- anëtarë të komisioneve zgjedhore të PD dhe njerëz me precedent penal, aktualisht në procese gjyqësore dhe të akuzuar për vepra të ndryshme”, deklaroi Lutaj. Ai përmendi si drejtues policie si Shemsi Premçi, Latif Kulla, Naim Manuka, Mehmet Rrapo dhe Urim Rexhepi. “Lista me njerëz të tillë të rikthyer në Policinë e Shtetit është shumë e gjatë. Shqetësimi që kërkon të bëjë publik sot PS, nuk është vetëm krijimi i policisë Elektorale tashmë të konfirmuar, por edhe përkeqësimi i situatës kriminale dhe trafiqeve në Shqipëri të evidentuara dhe të thenë disa herë nga partnerët ndërkombëtar nëpërmjet raporteve të tyre”, deklaroi Lutaj. Sipas tij, “qeveria dhe Ministria e Brendshme kanë lënë mënjanë objektin e punës së tyre, që është ndjekja dhe goditja e veprimtarisë kriminale dhe trafiqeve që zhvillohen në Shqipëri dhe po merren me krijimin e një infrastrukture policore, politikisht të motivuar në funksion të zgjedhjeve të vitit 2009”. Por i menjëhershëm ka qenë reagimi i Ministrisë së Brendshme, e cila hedh poshtë deklaratën e PS-së, duke e cilësuar si të “papërgjegjshme, e cila tenton të godasë politikisht një nga institucionet më të konsoliduara të shtetit ligjor, Policinë e Shtetit”. “Për herë të parë sot, me ligj, Policia e Shtetit është tërësisht e ndarë dhe e pavarur nga ndikimi i vendimmarrjes politike. Për herë të parë sot, Policia e Shtetit ka larguar nga radhët e saj të gjithë ata që bashkëpunonin me trafikantët e armëve dhe drogës. Ministria e Brendshme shpreh shqetësimin e saj në lidhje me sulmet politike ndaj atyre drejtuesve të Policisë së Shtetit, të cilët kanë pasur rezultatet më të larta në goditjen ndaj trafikantëve të armëve dhe drogës”, deklaroi zëdhënësi i ministrisë Konja. b.h
Pretendimet e PS me emërimet
1. Shemsi Premci, drejtori i Policisë Qarkut Fier
2. Latif Kulla, shefi i Komisariatit të Policisë, Fier
3. Xhavit Cici, zv.drejtor i policisë Qarkut Tiranë
4. Naim Manuka, drejtori i Drejtorisë Kufirit Durrës
5. Mehmet Rrapo, shefi i Komisariatit të Policisë Kuçovë
6. Urim Rexhepi, shefi i Komisariatit të Rinasit