Ambasadorët, Dervishi zëvendëson Minarollin në Greqi

Dy kandidaturat për ambasadorë janë Flamur Gashi në Bosnjë dhe Dashnor Dervishi në Greqi
TIRANË - Ministria e Jashtme ka diskutuar dje kandidaturat që do të përfaqësojnë Shqipërinë në shtetin fqinj Greqi dhe në Bosnje-Hercegovinë. Kandidaturat e propozuara nga diplomacia shqiptare janë shqyrtuar dje në Komisionin për Politikën e Jashtme dhe tashmë do t'i kalojnë Parlamentit për miratim.
Dy kandidaturat për ambasadorë që do të përfaqësojnë vendin tonë në këto dy vende, janë Flamur Gashi si ambasador me seli diplomatike në Bosnje-Hercegovinë, e cila hapet për herë të parë në këtë vend, si dhe Dashnor Dervishi, si kandidat për ambasador në Greqi. Dervishi do të zëvendësojë Vili Minarollin, pasi ky i fundit do të emërohet ambasador në Austri.
Dervishi, i cili do të përfaqësojë interesat e shqiptarëve dhe Shqipërisë në Greqi, theksoi dje se detyra e tij si përfaqësues diplomatik i Shqipërisë në Athinë ka një rëndësi të veçantë, pasi Greqia është një partner strategjik politiko-ekonomik.
"Greqia është për Shqipërinë një partner strategjik për sa i përket marrëdhënieve politiko-ekonomike, bashkëpunimit europian, por edhe më gjerë. Një nga detyrat kryesore do të jetë vendosja e kontakteve në nivel presidencial, qeveritar dhe parlamentar, në thellimin e bashkëpunimit, rritjen e shkëmbimit të vizitave si dhe forcimin e këtyre urave të kontaktit", - tha Dervishi gjatë seancës dëgjimore para deputetëve në Komisionin e Jashtëm.
Ai u shpreh gjithashtu se do të mbrojë të drejtat e emigrantëve shqiptarë, për të bërë të mundur një trajtim sa më njerëzor në kuadër të respektimit të të drejtave të tyre. Ndërsa Flamur Gashi, kandidat për postin e ambasadorit në Bosnje-Hercegovinë, theksoi se pakicat shqiptare në Bosnjë, do të jenë një pikë mjaft e rëndësishme në lidhje me bashkëpunimin e të dy vendeve. Të dyja këto kandidatura do të zyrtarizohen, pasi të miratohen në Parlament dhe të fillojnë punën e tyre në selitë respektive diplomatike.