Kuvendi miraton draftin për trojet shtetërore

Nga ky ligj preken rreth 13 mijë subjekte në të gjithë vendin, të cilat kanë ndërtesa private mbi troje shtetërore
TIRANË - Të gjithë ata individë apo subjekte private që kanë ndërtuar me leje në truall shtetërorë do të mund ta privatizojnë atë kundrejt çmimit të vlerës së tregut, në të kundërt do të paguajnë 10 për qind të vlerës së sipërfaqes që shfrytëzojnë si taksë vjetore.
Kuvendi ka mundur dje të miratojë me 71 vota pro dhe asnjë kundër, ligjin "Për privatizimin dhe taksën mbi të drejtën e përdorimit të truallit shtetëror", i cili pritet t'i shtrijë efektet e veta mbi të gjitha trojet shtetërore të ndërtesave të privatizuara, godinave të shitura nga ndërmarrjet shtetërore, si dhe ato godina banimi të ngritura me leje të lëshuara nga komitetet pluraliste të këshillave që kanë funksionuar në fillim të viteve '90-të.
Ligji
Pas shumë debateve në komisione mazhoranca ka mundur dje në seancë plenare të sheshojë dallimet dhe të unifikojë qëndrimin lidhur me ligjin për truallin shtetëror, duke e miratuar atë pa asnjë kundërshtim. Megjithatë, problemet e ngritura në komisione sërish kanë mbetur të pazgjidhura dhe shqetësimet e ngritura prej deputetëve të djathtë nuk gjetën asnjë zgjidhje.
Kështu, ligji u miratua dje pa marrë parasysh pretendimet e deputetëve se në dispozitat e tij bëhej një zgjidhje që nuk i jepte të drejtën ish-pronarëve të parablerjes së truallit, si dhe familjet që kanë ndërtesat për ta privatizuar tokën do të duhet të paguajnë një çmim shumë herë më të lartë sesa është ai që përdoret gjatë procesit të legalizimit.
Gjithashtu, një problem tjetër i pazgjidhur mbetet edhe ai për sigurinë juridike që cenohet nga prishja e kontratave të qerasë, që ekzistojnë aktualisht mes shtetit dhe pronarëve të ndërtesave.
I vetmi ndryshim që është marrë parasysh dje ka qenë ai që ka bërë komisioni i Ekonomisë dhe që ka të bëjë me nenin 1 të këtij ligji, ku tashmë evidentohet privatizimi si qëllimi primar dhe më pas taksa. Pra, sipas Komisionit të Ekonomisë, taksimi i këtyre subjekteve nuk është synimi i këtyre ndryshimeve, por se nëpërmjet taksës 10 për qind shteti synohet që t'i detyrojë poseduesit e ndërtimeve, që të privatizojnë edhe tokën.
Privatizimi
Kështu, ligji i miratuar mbrëmë parashikon që të gjitha trojet, që përfshihen në tre kategoritë e mësipërme, pra gjitha trojet shtetërore të ndërtesave të privatizuara, godinave të shitura nga ndërmarrjet shtetërore, si dhe të godinave të banimit të ngritura me leje të lëshuara nga komitetet pluraliste të këshillave që kanë funksionuar në fillim të viteve '90-të, do mund të privatizohen kundrejt pagesës së çmimit të tregut.
Ndërkohë që për të gjitha ata individë që do të kenë mundësi ta paguajnë çmimin e tokës që do të privatizojnë brenda 6 muajve të parë nga hyrja e ligjit në fuqi, do të kenë 20 për qind ulje. Ndërkohë që parashikohet që për të gjitha ato subjekte që nuk kanë mundësi ta paguajnë të gjithë shumën njëherësh mund ta bëjnë këtë me këste, por pa kaluar 12 muaj kohë.
Në të kundërt të gjithë persona që nuk duan ta blejnë truallin do të detyrohen të paguajnë taksë prej 10 për qind të vlerës së sipërfaqes së zënë me banesë. Brenda datës 15 shkurt të vitit pasardhës subjektet që do t'i nënshtrohen zbatimit të këtij ligji kanë detyrimin të dorëzojnë në drejtoritë rajonale të administratës tatimore formularin e deklarimit të taksës, e cila paguhet në bankë.
Shuma e siguruar nga këto dy rrugë parashikohet që të kalojë në buxhetin e shtetit dhe në buxhetin e njësive vendore, ku dhe ndodhen këto troje. Raporti i ndarjes së kësaj shume do të jetë në masën e 75 dhe 25 për qind në favor të Buxhetit të Shtetit. Në total ky ligj pritet të prekë rreth 13 mijë subjekte në të gjithë vendin, të cilat kanë ndërtesa private mbi troje shtetërore. Përjashtohet nga ky ligj të gjitha ato ndërtime të ngritura në troje me përparësi turizmin.