E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ambasadorët, Islami: Topi t’i kërkojë platformë qeverisë

 

Aristir Lumezi

Ish-ministri i Jashtëm socialist Kastriot Islami shprehu shqetësimin e tij, në lidhje me situatën në diplomacinë shqiptare. Ai i kërkoi kreut të shtetit të kërkojë një analizë të plotë për shkaqet e kësaj situate, ndërsa solli në vëmendje vendet bosh në shumë ambasada shqiptare, të cilat nuk drejtohen nga ambasadorë, por nga të ngarkuar me punë. “I kërkoj presidentit që të kërkojë një analizë të plotë të situatës në shërbimin e jashtëm, jo vetëm për ambasadorët, por për të gjithë shërbimin me jashtë, qoftë në Ministrinë e Jashtme apo atë jashtë vendit. Një analizë ku të evidentohen të gjitha shkeljet e shërbimit me jashtë dhe një program që e përmirëson këtë gjendje dhe mendimi jonë është që kjo qeveri e ka të pamundur për ta realizuar një gjë të tillë, megjithatë nëse do kishim një program të tillë, ne do jepnim kontributin tonë, që ai të shkonte në përmirësim të këtij shërbimi”, tha Islami. Zyrtari i lartë socialist akuzoi Qeverinë dhe Ministrinë e Jashtme për një mungesë të theksuar të ambasadorëve të përfaqësive tona jashtë. “Ka një vakum në një numër të madh ambasadash dhe ato nuk drejtohen nga ambasadori, por kanë qenë pothuajse jashtë funksionit të tyre. Dihet tashmë siç ishte ambasada në Kosovë që u miratua, siç është ambasada në Gjermani, siç ishte misioni në Nju Jork që u plotësua dhe kështu me radhë”, tha Islami. Sipas tij, shkak i kësaj situate kanë qenë marrëdhëniet e acaruara mes ekzekutivit dhe presidentit. “Një nga arsyet pse ka ndodhur kjo situatë, përveç shkeljes së ligjit në marrëdhëniet me jashtë, është se ka një marrëdhënie të acaruar bile konfliktuale mes ekzekutivit dhe presidentit, gjë që ka bërë që kjo situatë të jetë e bllokuar dhe e parealizuar dhe në fund të fundit këto kanë ndikuar në imazhin e vendit, në gjithë ato vende ku ne kemi dërguar njerëz politikë jashtë kritereve, apo në ato vende ku kemi mungesa të titullarëve në vendet përkatëse”, tha Islami. Sekretari socialist akuzoi Ministrinë e Jashtme dhe qeverinë se ka mbushur shërbimin diplomatik me militantë të PD-së. Sipas tij “ligji i shërbimit me jashtë është thyer disa herë gjë që e kemi bërë prezente në të gjitha rastet e emërimeve të ambasadorëve, por dhe të emërimeve të shërbimeve me jashtë, që do të thotë që në shumë raste është thyer kriteri i emërimit jashtë karrierës”. “Ne kërkojmë një analizë të plotë nga ekzekutivi, nga Ministria e Jashtme dhe natyrisht Kryeministri që është përgjegjësi kryesor për emërimin e ambasadorëve dhe një program të plotë, integral që do korrigjonte pikërisht këtë situatë dhe kjo duhej bërë në konsultim me Presidentin e Republikës në mënyrë që mos kishim prapa një përplasje dhe bllokim të situatës”, tha Islami.

Ambasadorët e rinj

    Shpëtim Çaushi, i propozuar nga Qeveria si ambasador i Shqipërisë në Serbi

    Sokol Gjoka, i propozuar si ambasador i Shqipërisë në Rusi

    Valter Ibrahimi, i propozuar nga qeveria si ambasador në Gjermani

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›