Zhduken provat për vjedhjen e pronave
Trazhgim Sokolaj
Tetë punonjës të Agjencisë Kombëtare të Kthimit dhe Kompensimit të Pronave u shkarkuan nga detyra pas dhënies së titullit të pronësisë për pronarë fantazmë që përfituan 48 hektarë tokë në “Plazhin e Gjeneralit”. Sipërfaqja e tokës në bregdetin e Kavajës, me vlerë 24 milionë euro është bërë shkak për një sërë verifikimesh e kontrollesh në Agjencinë e Pronave. Prokuroria e Tiranës, e cila po heton skandalin, ka sekuestruar pjesën më të madhe të dokumenteve shkresore që hedhin dritë mbi procedurën e ndjekur që nga aplikimi për titullin e pronësisë në qershor 2008 deri te kthimi i pronës tre muaj më pas. Megjithatë dhjetëra fakte që hedhin dritë mbi këtë histori, nuk ka qenë e mundur të sekuestrohen në kompjuterët e punonjësve të caktuar të Agjencisë së Pronave, ku edhe janë hartuar dokumentet e abuzimit. Burimet nga hetimi i çështjes thanë se Prokuroria ka kërkuar rreth një muaj më parë të sekuestrojë kompjuterët e ish-kryetarit të AKKP-së, Tunxh Vatnikaj si dhe të shtatë punonjësve të tjerë që rezultonin se kishin marrë pjesë në kthimin abuziv të pronës te “Plazhi i Gjeneralit”. “Megjithatë përgjigja ka qenë se disa prej pajisjeve kompjuterike janë të padisponueshme dhe nuk mund të kontrollohen për shkak se kanë pësuar defekt”, thanë burimet e hetimit. Ndërkaq, burime zyrtare nga Prokuroria e Tiranës dhe nga Njësia Task-Force që po heton skandalin, e mohuan këtë gjë. Sipas tyre nuk ka pasur probleme të tilla në raport me Agjencinë e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave.
Fshehja e provave
Megjithëse refuzojnë të konfirmojnë problemin me kompjuterët, ku dyshohet se ka humbur një sasi e konsiderueshme informacioni lidhur me shumë prona të tjera, veç “Plazhit të Gjeneralit”, burimet zyrtare të Prokurorisë thonë se AKKP deri pak kohë më parë ka tentuar të shkaktojë shpërqendrim të hetimit. “Pikërisht punonjësit që kishin marrë pjesë në procedurën e kthimit të pronës tek ‘Plazhi i Gjeneralit’, pra personat e implikuar në këtë skandal, janë shkarkuar nga puna pasi zyrtarët e mëdhenj kanë mbaruar punë kur prona ishte kthyer te pronarët fantazmë”, thanë burimet zyrtare të Prokurorisë. Sipas tyre, ish-drejtuesit e Agjencisë së Pronave i shkarkuan shtatë vartësit e tyre, duke pretenduar se largimi i nëpunësve ishte një masë disiplinore për abuzimet që ata kishin kryer në kthimin abuziv të pronës te ‘Plazhi i Gjeneralit’. Mirëpo Prokuroria zbuloi më pas prova dhe përgjime telefonike që tregonin se pikërisht zyrtarët dhe drejtuesit që pretendonin se kishin ndëshkuar punonjësit e dyshuar për abuzimin, ishin implikuar edhe vetë në skandal, pasi kishin nxitur vartësit e tyre të kalonin procedurën e kthimit të pronës tek pronarë fiktivë që kishin aplikuar me dokumente tërësisht të falsifikuara.