PD: Tirana qyteti i vetëm pa buxhet
Partia Demokratike i rikthehet sërish çështjes së buxhetit të kryeqytetit. Zëdhënësi i selisë blu, Gerti Bogdani tha dje se Tirana është i vetmi kryeqytet në Evropë pa buxhet. “Tirana është i vetmi kryeqytet në Evropë, që nuk ka buxhet dhe pse nuk ka një buxhet, sepse gjithë shqiptarët e panë në shfaqe live, sa komike aq dhe tragjike, të Këshillit Bashkiak dhe të kryetarit të bashkisë, i cili demonstroi arrogancë dhe vetëm interesat e ngushta personale”, tha Bogdani. Në të njëjtën kohë PD-ja i bëri thirrje kreut të bashkisë, që të marrë parasysh sugjerimet e anëtarëve të Këshillit Bashkiak përpara se të votojë ligjin. “Shpresojmë që në mbledhjen e ardhshme të këshillit bashkia, Kryetari i Bashkisë, të qetësohet, të reflektojë dhe të marrë parasysh sugjerimet e këshilltarëve”.