E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ambasadorët: Reforma në gjyqësor, kryereforma për integrimin

Kjo u theksua sot nga ambasadorët e SHBA-së, BE-së dhe OSBE-së në Tiranë, të cilët morën pjesë në konferencën e lidershipit në gjyqësor, organizuar nga Ministria e Drejtësisë. Sipas tij, kjo reformë është me rëndësi edhe për thithjen e investimeve të huaja.

Ambasadori i SHBA-së në Tiranë, Aleksandër Arvizu, deklaroi se sallat e gjyqeve janë kritike për funksionimin e gjyqësorit. “Sallat e gjyqeve janë kritike për funksionimin e demokracisë edhe pse janë bërë përparime duke instaluar aparatura regjistrimi për të përmirësuar transparencën. Qytetarët duhet të kenë besueshmëri të plotë se do të marrin gjykim të barabartë përpara ligjit. Në fakt në një demokraci qytetarët duhet të kenë besim se sistemi drejtësisë është i verbër për mënyrën sesi funksionojnë interesat”, theksoi Arvizu.

Ai shtoi se investitorët e huaj duhet të gjejnë një vend me kornizë ligjore të mirë që garanton transparencën. “Investuesit e huaj duhet të gjejnë në vend një forcë punëtore të arsimuar, duan një kornizë ligjore të mirë dhe që garanton transparencën dhe që garanton përparësi në sistemin gjyqësor”, vijoi. “Shqipërisë i nevojitet të bëjë çdo gjë që mundet për të siguruar transparencën. Është absolutisht jetike që të bëjë përparim në reformat ligjore dhe gjyqësore, në mënyrë që të bëjë biznes”. 

Duke folur mbi çeljen e zyrave të kompanisë amerikane 3M, Arvizu u shpreh se biznesmenët amerikanë vlerësojnë se taksa e sheshtë është tepër tërheqëse për investitorët e huaj. “Investitorët amerikanë shohin se korniza ligjore, mjedisi ligjor është një pikë mjaft e rëndësishme për investitorët e huaj. Transparenca, paanshmëria, cilësia e sistemit gjyqësor është mjaft e rëndësishme për biznesin”, tha Arvizu.

Nga ana e tij, ambasadori i BE-së në Tiranë, Ettore Sequi u shpreh se reforma në gjyqësor është kryereforma për integrimin në Bashkimin Evropian. Sipas tij,institucionet e forta garantojnë shtetin e së drejtës, ndërsa shtoi se Shqipëria duhet të trajtojë seriozisht çështjen e korrupsionit dhe nevojën për të hequr imunitetin.

Ambasadori i OSBE-së, Eugen Wollfarth shtoi se reforma gjyqësore nuk mund të kryhet pa një partneritet mes institucioneve. “Reforma në drejtësi duhet të bëhet me partneritetin mes gjykatave, KLD-së, qeverisë, Parlamentit”, theksoi Wollfarth, duke përshëndetur reformat ë bëra deri tani. “Megjithatë nevojiten përpjekje ende të mëdha nga të gjithë aktorët për të përmirësuar. Asistenca për reformën gjyqësore ka qenë një nga detyrat  kryesore të Prezencës në Shqipëri”, tha Wollfarth. /Start/

                                                                                             2012-04-20 12:17
   

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›