E Shtunë, 31 Tetor 2026

Topi takon Ahmetin dhe Thaçin, thirrje për unitet

Kreu i BDI-së, vuri në dukje rëndësinë që sjell vizita zyrtare e Kryetarit të Shtetit shqiptar në drejtim të konsolidimit të marrëdhënieve mes dy shteteve, të evidentimit të kontributit të faktorit shqiptar në Maqedoni, si dhe të zbatimit të standardeve evropiane.

“Palët duhet të tregojnë gjithnjë maturi e veprim politik të përgjegjshëm dhe se forcimi i dialogut politik mes partive politike shqiptare në Maqedoni do të ndikojë në mënyrë evidente në përballimin e të gjitha sfidave të kohës”, theksoi Topi, teksa u bisedua mbi incidentet e fundit në Maqedoni.

Gjithashtu, Presidenti Topi dhe Kreu i BDI-së, Ahmeti, ndanë të njëjtat ide lidhur me rëndësinë e zhvillimit të një dialogu të mirëfilltë të partive politike shqiptare edhe me partitë maqedonase, për të bërë përpjekje të përbashkëta për zbatimin e plotë të Marrëveshjes së Ohrit. Topi zhvilloi edhe një takim në selinë e PDSH-së në Tetovë, ku është pritur nga simpatizantë të kësaj partie. Në fjalën e tij, Topi tha se pavarësisht ndarjes së kufijve, zemra e shqiptarëve rreh të njëjtin ritëm.

“Viti i 100-të i themelimit të shtetit shqiptar është padyshim një festë dhe një krenari për të gjithë shqiptarët, kudo që jetojnë, në Shqipëri, në Maqedoni, në Kosovë, në Mal të Zi, në diasporë. Pra, kam ardhur këtu jo vetëm t’ju takoj, por t’ju them që do ta gëzojmë së bashku këtë vit jubilar të themelimit të shtetit shqiptar”, tha Topi.

Më pas, në mjediset e punës së PDSH-së, Presidenti Topi zhvilloi një takim të përzemërt me kreun e saj, Menduh Thaçi. Në këtë kuadër, zoti Thaçi vuri në dukje “nevojën për më shumë unitet mes shqiptarëve në mbarë rajonin dhe për një ndikim më të madh në përmirësimin e kushteve për shqiptarët që jetojnë jashtë kufijve të Shqipërisë dhe Kosovës, në këtë rast për shqiptarët e Maqedonisë”.

Presidenti Topi, duke nënvizuar rëndësinë e këtij takimi, vlerësoi kontributin konstruktiv e të frytshëm të faktorit shqiptar në Maqedoni, jo vetëm në drejtim të zhvillimit të mëtejshëm të marrëdhënieve shumë të mira mes dy vendeve tona, por dhe në dobi të ruajtjes së një rajoni të sigurt e të qetë, duke theksuar gjithashtu se “ky faktor duhet të nxisë në vazhdimësi harmoninë, integrimin dhe bashkëpunimin institucional”. /S.Ll/Start/

                                                                                             2012-04-20 16:07
   

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›