E Diel, 1 Nëntor 2026

Presidenti i ri, kryeministri Berisha i mbyll derën Nanos

Nano, Berisha dhe Meta

Pak orë pasi ish-kryeministri dhe ish-kreu i Partisë Socialiste Fatos Nano deklaroi se do të nisë negociatat me të gjitha partitë parlamentare për kandidaturën e tij për presidenti, Berisha i ka përplasur derën në fytyrë.

Duke folur në Kamza, ku ishte me rastin e ditës së aksionit kombëtar të shpallur nga qeveria në bashkëpunim me pushtetin lokal dhe shoqërinë civile, Shqipëria e pastër, kryeministri u shpreh qartë se mazhoranca do të ketë kandidatët e saj për postin e presidentit.

Unë i kam bërë komentet e mia. Kandidati do të jetë një nga personalitetet e Partisë Demokratike, u përgjigj shkurt Berisha. Kjo deklaratë, është në linjën e asaj që Berisha ka deklaruar më parë, që kandidat i PD-së do të jetë një nga figurat kryesore të kësaj partie.

Në intervistën e dhënë mbrëmë në emisionin Top Story, Nano u shpreh se do të ofrohet tek të gjitha partitë parlamentare si një kandidat konsensual. Ai tentoi edhe në vitin 2007 për këtë post duke u vetë kandiduar dhe për rrjedhojë mori pjesë vetën në votimin e parë, pasi nuk mblodhi 20 firma nga deputetët e Kuvendit.

Deri tani asnjë nga partitë politike nuk ka mbështetur publikisht kandidaturën e Nanos. Lideri i opozitës Edi Rama është shprehur se më parë ai duhet të marrë miratimin e palës tjetër për të qenë një kandidat konsensual duke shtuar se e sheh Nanon të distancuar nga palët. /F.Stafa/

*   *   *

Nano: Do negocioj me të gjitha partitë në Kuvend, për kandidimin për president

Fatos Nano

Fatos Nano, tre muaj larg nisjes së procedurave për zgjedhjen e presidentit të ri, ka bërë publike nisjen e përpjekjeve për të siguruar mbështetjen e partive në Kuvend për kandidaturën e tij. Nano këtë herë ndryshe nga viti 2007, synimet i ka më të qarta dhe është më racional.

Si politikan dhe qytetar i përgjegjshëm, unë kam bërë një ofertë, kam ofruar dijen, eksperiencën dhe aftësitë e mia për të shërbyer që klima politike e sotme të ndryshojë. Që marrëdhëniet mes politikës dhe institucioneve të jenë më progresive dhe më nxitëse, u shpreh Nanon në emision Top Story.

Ai përmendi statusin kandidat për në BE duke thënë tërthorazi se do jetë kontribut nëse zgjidhet president. Unë nuk jam kandidat për president. Ose nuk jam kandidati më i rëndësishëm për Shqipërinë në 2012-n.

Në këtë intervistë televizive, Nano, për asnjë momenti nuk tregoi se është kërcënues për Ramën dhe Berishën, ai la të kuptohet se ai është një pensionist sa i takon aktivitetit politik.

Unë këtë herë kam preferuar të negocioj të paraqes nga afër me faktorët politik relevant, konceptin, vizonin dhe platformën mbi të të cilën dua të shërbej, tha Nano. Ai shtoi se do të negociojë me të gjitha partinë në Kuvend. Do të takoj edhe Edi Ramën, krahas të tjerëve padyshim. Procesi të jetë i hapur gjithëpërfshirës, të jetë transparent. Të mbështesin platformën dhe eksperiencën time, ka nënvizuar ai. Duke folur si një president i ardhshëm ish-kryeministri i Shqipërisë tha se presidentëve të deri sotëm u ka munguar karriera ekzekutive.

Duke folur për qeverisjen e së djathtës, Nano u tregua i kursyer në kritika dhe u mat shumë për të nxjerr nga goja se qeverisja ka shumë probleme. Më tej pasi tha se më shumë e shqetëson fakti se qytetarët janë të lodhur me këtë qeveri, shtoi se përballë ajo ka një opozitë katastrofike.

Ndërsa për votën e 8 majit, ai tregoi tërthorazi se nuk ka votuar për Edi Ramën në zgjedhjet për Bashkinë e Tiranës. Nuk kam votuar ndryshe nga qëndrimet e shprehura publikisht, nga rezervat apo stimujt. Zgjedhjet e 8 majit ishin ashtu si ishin një prej pasojave të pashmangshme të 21 janarit të klimës që ai krijojë, tha ish-lideri i PS-së. /F.Stafa/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›