Ambasadorët e BE: Përmbyllni sa më shpejt procesin zgjedhor
TIRANË- Ambasadorët e Bashkimit Evropian i kanë bërë apel administratës zgjedhore të mbyllë sa më shpejt procesin zgjedhor. Ata kanë kujtuar rëndësinë që këto zgjedhje kanë për integrimin e Shqipërisë në BE dhe kanë kërkuar nga Kolegji Zgjedhor punë të pavarur në gjykimin e padive.
Deklarata është bërë sot gjatë një takimi me anëtarët e Kolegjit Zgjedhor, gjatë të cilit ambasadorët kanë theksuar mbështetjen e tyre të vazhdueshme dhe interesin për një proces elektoral të besueshëm.
Në takim morën pjesë, Shefi i Delegacionit të Komisionit Europian dhe Ambasadorët e Mbretërisë së Bashkuar, Republikës Federalë te Gjermanisë, dhe të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
"Duke pasur parasysh ndërhyrjet që u vunë re në procesin e numërimit të votave nga partitë politike dhe presione ndaj administratës zgjedhore, përfaqësuesit diplomatikë theksuan rëndësinë e rolit të Kolegjit Zgjedhor dhe të një procesi gjyqësor të pavarur"- thuhet në deklaratën e përbashkët.
Sipas ambasadorëve, këto zgjedhje janë një test i rëndësishëm i pjekurisë demokratike të Shqipërisë dhe gatishmërisë për të ecur përpara drejt integrimit të mëtejshëm në BE.
Me tej thuhet se Komuniteti Ndërkombëtar vazhdon të ndjekë nga afër procesin elektoral dhe se përfaqësuesit diplomatikë nxitin administratën zgjedhore dhe partitë politike të punojnë për një mbyllje të suksesshme të procesit zgjedhor, drejt formimit të një Qeverie legjitime.