Ambasadorët e BE: Sfidat më kyçe, korrupsioni e zgjedhjet
Bledar Hoti
Ambasadorët e vendeve të BE-së i bëjnë thirrje qeverisë që të ketë kujdes me organizimin e zgjedhjeve të ardhshme parlamentare. Pas shumë përplasjeve mes pozitës dhe opozitës në lidhje me progres raportin e fundit të KE-së për Shqipërinë, reaguan menjëherë ambasadorët e vendeve të BE-së në Tiranë. Në një deklaratë për median, ambasadorët kanë nënvizuar në mënyrë përfundimtare arritjen e qeverisë, si dhe kanë përcaktuar dhe “detyrat e shtëpisë” për të ardhmen. Në të vlerësohet progresi i bërë, por cilësohet si i pamjaftueshëm. “Raporti i të mërkurës i Komisionit Evropian konfirmoi progresin e Shqipërisë në të gjitha angazhimet ndaj BE. Raporti nënvizon që Shqipëria është duke zbatuar butësisht marrëveshjen e ndërmjetme që ka hyrë në fuqi në fund të vitit 2006. “Bazuar në konsensusin brenda BE-së, reformat kyçe politike kanë bërë progres, përfshirë dhe reformën elektorale”, thuhet në deklaratën e shpërndarë për median. Ndërsa bëhet e ditur se “progresi drejt BE varet nga zbatimi i kushteve të nevojshme, pra çdo vend do të gjykohet në bazë të meritave të veta. Dhe këto kushte nuk përfshijnë thjesht miratimin e ligjeve të përshtatura me BE, por edhe zbatimin e tyre”.
Apeli për zgjedhjet
Në deklaratën e lëshuar theksohet qartazi rëndësia e zgjedhjeve të ardhshme parlamentare, si një kusht që do të ndikojë për të ardhmen e procesit të integrimit të mëtejshëm evropian të Shqipërisë. “Një tjetër sfidë kyçe për Shqipërinë do të jenë mbajtja e zgjedhjeve parlamentare në 2009, një çështje me rëndësi qendrore për zhvillimet dhe marrëdhëniet midis BE-së dhe Shqipërisë: ato duhet të jenë të lira dhe të ndershme”, thuhet në deklaratën për median. Ambasadorët e vendeve të BE-së kërkojnë më tepër eficence në realizimin e reformave. “Ne inkurajojmë Shqipërinë që të forcojë përpjekjet për reforma, në veçanti në fushat ku është bërë progres i kufizuar dhe i ulët dhe që theksohet në progres-raport. Ne jemi të gatshëm të vazhdojmë mbështetjen e Shqipërisë në këtë drejtim. Ne besojmë se hapat e ardhshëm në këtë proces janë të mundshme, nëse hapa më të kënaqshëm do të ndërmerren në zbatimin e MSA-së”, theksohet në deklaratë.
Kritikat
Korrupsioni, lufta kundër krimit të organizuar, largimi i punonjësve të trajnuar, janë disa nga shqetësimet dhe kritikat në deklaratën e BE-së. “Largimi i stafit të trajnuar dhe kompetent nga postet e tyre ndikon negativisht te Policia dhe Departamentet e tjera. Korrupsioni përshkruhet si një problem veçanërisht serioz në Shqipëri. Lufta kundër korrupsionit, veçanërisht në gjyqësor, por edhe kudo, mbetet një prioritet kyç i partneritetit evropian.
Në luftën kundër krimit të organizuar është raportuar vetëm një progres i kufizuar. Krimi i organizuar mbetet një problem serioz në Shqipëri”, thuhet në deklaratë. Për rritjen e shkallës kundër krimit të organizuar BE nuk e sheh vetëm te mungesa e kapaciteteve për t’u angazhuar në operacione afatgjata. Gjithashtu në luftën kundër pastrimit të parave, BE e cilëson se Shqipëria është vetëm në stadin fillestar. “Shumë mbetet për t’u bërë në luftën kundër trafikimit të qenieve njerëzore. Trafiku i brendshëm i prostitucioni është duke u rritur. Burimet njerëzore, të angazhuara në luftën kundër emigrimit ilegal, mbeten të pamjaftueshme”, thuhet në deklaratën për median.
pikat e deklarates
Në fushën e administratës publike, përpjekje më të mëdha nevojiten për të themeluar një shërbim civil të pavarur, eficent dhe të bazuar në merita.
Një nga sfidat kyçe të Shqipërisë është të ndërtojë dhe të forcojë kapacitetin administrativ. P.sh largimi i stafit të trajnuar dhe kompetent nga postet e tyre ndikon negativisht te policia dhe departamentet e tjera.
Sistemi juridik është përshkruar si varfërisht funksional për shkak të mungesës së pavarësisë, përgjegjshmërisë, transparencës dhe mungesës së një strategjie të qartë në reformën juridike.
Korrupsioni përshkruhet si një problem veçanërisht në Shqipëri.
Lufta kundër korrupsionit, veçanërisht në gjyqësor, por edhe kudo, mbetet një prioritet kyç i partneritetit evropian.
Në luftën kundër krimit të organizuar është raportuar vetëm një progres i kufizuar. Krimi i organizuar mbetet një problem serioz në Shqipëri.
Në luftën kundër pastrimit të parave, përgatitjet vetëm në stadin fillestar.
Shumë mbetet për t’u bërë në luftën kundër trafikimit të qenieve njerëzore. Trafiku i brendshëm i prostitucioni është duke u rritur.
Burimet njerëzore të angazhuara në luftën kundër emigrimit ilegal mbeten të pamjaftueshme.
Një tjetër sfidë kyçe për Shqipërinë do të jenë mbajtja e zgjedhjeve parlamentare në 2009, një çështje me rëndësi qendrore për zhvillimet dhe marrëdhëniet midis BE-së dhe Shqipërisë: ato duhet të jenë të lira dhe të ndershme.