Berisha: Kemi shanse për regjimin e vizave
Kryeministri Berisha tha dje se Shqipëria mund të përfitojë liberalizim të vizave. Duke folur në mbledhjen e Komitetit Ndërministror të Integrimit, në qendër të të cilit ishte progres-raporti i Bashkimit Evropian për vendin tonë, kreu i qeverisë u shpreh se “Shqipëria është një vend potencial për të fituar heqjen e vizave me BE-në dhe kjo ka një rëndësi pothuaj historike”. Lidhur me përpjekjet e Shqipërisë për të plotësuar kushtet në këtë drejtim, Kryeministri vuri në dukje luftën me zero tolerancë kundër krimit të organizuar, shkallën e lartë të sigurisë, bashkëpunimin e qeverisë me Interpolin, Europolin dhe të gjitha agjencitë e zbatimit të ligjit të vendeve mike, etj,. “Shqipërinë, ky raport e shpall si një vend që me plotësimin e disa kushteve të tjera, mund të ketë lëvizjen e lirë pa viza të qytetarëve të saj”, tha kryeministri, duke theksuar se “në dy çështjet madhore të partneritetit evropian, raporti ndryshon thelbësisht nga raportet e kaluara”. Kreu i qeverisë u ndal gjithashtu edhe te korrupsioni. “Progresi i ndjeshëm në luftën kundër korrupsionit ka bërë që Shqipëria të vlerësohet qartësisht. Por nuk mund të thuhet se korrupsioni nuk është i përhapur. Ai është i përhapur në sistemin e drejtësisë, shëndetësisë, dogana dhe e vërteta është se kësaj liste unë personalisht mund t’i shtoj edhe agjenci të tjera”, tha Kryeministri Berisha. Duke e konsideruar korrupsionin si një problem shumë serioz, Kreu i Qeverisë u shpreh se “sado e kushtueshme të jetë kjo luftë, ajo do të vazhdojë më tej”.