E Diel, 1 Nëntor 2026

AMC, bursa për studentët

 

Kompania e telefonisë celulare AMC ka ndarë dje bursat për studentët më të mirë të dalë nga konkurset e Maturës Shtetërore. Në ceremoni morën pjesë Drejtori Ekzekutiv i AMC-së, Stefanos Oktapodas, Këshilltari i Kryeministrit për Arsimin, Myqerem Tafaj, Rektori i Universitetit të Tiranës, Dhori Kule, Rektori i Universitetit Politeknik të Tiranës, si përfaqësues të stafit akademik dhe studentë. Për herë të parë këtë vit, 10 studentët fitues do të asistohen me ndihmë financiare edhe në vitet në vazhdim deri në përfundim të studimeve, kundrejt rezultateve të shkëlqyera gjatë çdo viti akademik. AMC gjithashtu do të krijojë mundësi trajnimi e më pas punësimi pranë kompanisë për këta studentë. Për këtë qëllim 10 studentët më të mirë u përzgjodhën nga degët inxhinieri informatike, telekomunikacion dhe inxhinieri elektronike, ekonomik, administrim biznesi, financë dhe juridik. Në fjalën e tij, Drejtori Ekzekutiv i AMC, Stefanos Oktapodas, pasi përgëzoi studentët për rezultatet e arritura i inkurajoi ata për të vazhduar më tej në rrugën e nisur. "AMC është mjaft e interesuar, iu drejtua Oktapodas studentëve, që rezultatet tuaja edhe në vitet në vazhdim të jenë maksimale, pasi në këtë mënyrë krijohen kapacitete elitare që do të vazhdojnë të kontribuojnë në rritjen dhe zhvillimin e mëtejshëm të kompanive, por edhe për të ardhmen evropiane të Shqipërisë".

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›