Braho: Kodi i ri antikushtetues kufizon dhe partitë joparlamentare
Deputeti i LSI-së, Spartak Braho, anëtar i Komisionit të posaçëm për Reformën Zgjedhore, e cilëson projekt-kodin e ri zgjedhor antikushtetues, pasi në thelb ai cenon të drejtën e subjekteve për të qenë të barabartë. “Të gjitha kufizimet që vërehen në këtë projekt-kod bien ndesh dhe janë në shkelje të nenit 18 të Kushtetutës së Republikës, që sanksionon barazinë e shtetasve dhe të subjekteve para ligjit, në shkelje të kushtetutshmërisë moderne për barazinë e shanseve”, u shpreh Braho dje gjatë një komunikimi me mediat. Sipas tij, në këtë projekt-kod kufizohet dhe ngushtohet mundësia e regjistrimit në procesin zgjedhor të partive politike joparlamentare, pasi për t’u regjistruar një parti joparlamentare i duhet paraqitja dhe mbështetja bashkë me listën e kandidatëve të saj edhe lista e 10 mijë zgjedhësve në rang vendi në KQZ. Gjithashtu kufizohet dhe ngushtohet mundësia e kandidimit të kandidatit të pavarur, pasi kushti i kandidimit të tij është paraqitja e një liste zgjedhësish mbështetës, jo më pak se 1% të listës së zgjedhësve të regjistruar, e cila duhet të jetë e noterizuar. Braho tha se projekt-kodi i ri mohon gjithëpërfshirjen e subjekteve politike, duke forcuar monopolin e dy partive PD–PS në të gjitha nivelet e komisioneve të administrimit të zgjedhjeve. “Ky variant është hap prapa krahasuar me procesin e administrimit të zgjedhjeve në vitin 2007”, tha Braho. Dy partitë e mëdha në këtë projekt përdorin dy standarde në ndarjen e mandateve të deputetëve fitues brenda koalicionit, duke favorizuar veten e tyre dhe të aleatëve satelitë.