Vëzhgimi i zgjedhjeve, Basha fton OSBE
ADI SHKEMBI
Qeveria shqiptare kërkon nga OSBE të vëzhgojë me një numër sa më të madh vëzhguesish zgjedhjet e përgjithshme të vitit 2009. Deklaratën e bëri dy ditë më parë në Vienë, Ministri i Jashtëm, Lulzim Basha i cili mori pjesë në mbledhjen e Këshillit të Përgjithshëm të OSBE-së. “Më pas, në emër të Qeverisë së Shqipërisë, Basha ftoi ODIHR-in që të dërgojë numrin më të madh të mundshëm të vëzhguesve, për të monitoruar zgjedhjet e ardhshme parlamentare në Shqipëri. Ai, gjithashtu, vlerësoi kontributin e OSBE-së në mbështetje të zhvillimeve demokratike të vendit dhe siguroi se Shqipëria është e angazhuar të vazhdojë bashkëpunimin e frutshëm me Organizatën”, thuhet në njoftimin për shtyp të zyrës së Ministrisë së Jashtme. Gjatë këtij takimi kreu i diplomacisë shqiptare vlerësoi rolin e OSBE-së si një forum thelbësor diskutimi, bashkëpunimi dhe mirëkuptimi, pjesë e rëndësishme e sistemit të sigurisë evropiane e më gjerë dhe shprehu gatishmërinë e Shqipërisë për të vazhduar kontributin e saj në drejtim të promovimit të vlerave të Organizatës. Gjithashtu Ministri i Jashtëm informoi Këshillin e Përhershëm për ecurinë e reformave në vend dhe rezultatet e deritanishme të Shqipërisë në fushën ekonomike dhe në luftën pa kompromis kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Gjatë ndërhyrjeve në takimin e këtij forumi të OSBE-së, kreu i diplomacisë shqiptare përsëriti angazhimin e Shqipërisë për Kryesimin e OSBE-së në vitin 2012, duke nënvizuar kontributin që mund të japë vendi ynë në kryesimin e kësaj organizate dhe vlerat që Shqipëria mund të përcjellë në aktivitetin e saj, në përmbushje të mandatit të dhënë nga vendet anëtare. Në përgjigje të fjalës së Ministrit Basha, SHBA dhe BE, në deklaratat e tyre, pasi siguruan për mbështetjen e plotë në procesin e reformave të gjithanshme të ndërmarra nga Qeveria e Shqipërisë, vlerësuan me nota pozitive arritjet e vendit në fusha të ndryshme, konsensusin politik ekzistues për përfundimin me sukses të reformës elektorale, si dhe rolin konstruktiv të Shqipërisë në rajon. Lidhur me debatin e përhapur pak kohë më parë për qëndrimin e qeverisë shqiptare ndaj mandatit të prezencës së OSBE-së në vendin tonë, duket se edhe këtë vit, nuk do të ketë ndonjë ndryshim. “Bashkëpunimi me OSBE-në do të vazhdojë të jetë solid në fusha të ndryshme si mirëqeverisja apo shteti ligjor”, u shpreh Basha në një prononcim për mediat.
Amendamenti, Ndoka: KQZ të jetë me 9 anëtarë
Partia Demokristiane ka paraqitur në Komisionin e Posaçëm për reformën zgjedhore disa amendime për Kodin e ri Zgjedhor, i cili lë të pandryshuar, me nëntë anëtarë KQZ-në. Për sa i përket zgjedhjes së anëtarëve të KQZ-së, përveç anëtarëve të partive të mëdha, PDK propozon që dy anëtarë të saj të zgjidhen nga kandidatët e propozuar nga partitë politike të maxhorancës qeverisëse, përjashtuar partinë më të madhe të maxhorancës, që kanë numrin më të madh të vendeve në Kuvendin e Shqipërisë, si dhe dy anëtarë zgjidhen nga kandidatët e propozuar nga partitë politike të opozitës parlamentare, përjashtuar partinë më të madhe të opozitës, që kanë numrin më të madh të vendeve në Kuvendin e Shqipërisë. Duke folur në një prononcim për mediat, Ndoka tha se “këto dy parti nuk dinë të bëjnë zgjedhje të ndryshme nga ato të komunës së Ndroqit me karrige dhe armë për të vjedhur vota. Ky është modeli dhe standardi i tyre i vetëm për zgjedhjet”.