E Diel, 1 Nëntor 2026

Ambasadorët e BE-së: Kriza politike të zgjidhet nga kompromisi PD-PS



Eljona Ballhysa
Ambasadorët europianë të akredituar në Tiranë i kanë bërë thirrjen dje klasës politike shqiptare për arritjen e kompromisit për të dalë nga kriza politike e krijuar për shkak të mungesës së opozitës në Kuvend. Tetë ambasadorë të vendeve anëtare të Bashkimit Europian, gjatë fjalës së mbajtur në një konferencë të organizuar me rastin e 20-vjetorit të rënies së Murit të Berlinit, janë shprehur se faktori politik shqiptar duhet të gjejë gjuhën e përbashkët dhe të dalë nga situata e krijuar. Sipas ambasadorëve, u takon pozitës dhe opozitës gjetja e kompromisit dhe se faktori ndërkombëtar nuk duhet të ndërhyjë në një situatë të tillë. “Që të jeni pjesë e Bashkimit Europian duhet t’i zgjidhni vetë problemet tuaja, e jo të prisni ndërhyrje nga jashtë”, - ka qenë deklarata e ambasadorit austriak në Tiranë, Florian Rauning. Madje kjo fjali tregon qartë qëndrimin e përbashkët të të gjithë përfaqësuesve të Bashkimit Europian në Shqipëri. Duket qartë se kjo situatë po vëzhgohet më vëmendje nga ndërkombëtarët, të cilët kanë vendosur thjesht të monitorojnë pa marrë rolin e negociatorit. Kjo është hera e parë që klasa politike shqiptare duhet të tregojë se di t’i zgjidhë vetë problemet, pa ndihmën e ambasadorëve. Por, deri tani, situata është në ngërç. Opozita vazhdon bojkotin duke thelluar protestat për shkak të mosrealizimit të kërkesave nga maxhoranca. Ndërsa qeveria nuk ka asnjë plan konkret për rikthimin e opozitës në Kuvend.
Thirrja
Ambasadori gjerman Bernd Borkardt dhe ai austriak Rauing, gjatë fjalës së mbajtur në këtë takim bënë thirrje për arritjen e kompromisit mes pozitës dhe opozitës. “Kompromisi duhet të zgjidhë situatën, dhe ky kompromis duhet dhënë nga të dyja palët”, - është shprehur ambasadori gjerman, Borkard. Ndërsa diplomati austriak, Rauning, theksoi: “Që të jeni pjesë e Bashkimit Europian duhet t’i zgjidhni vetë problemet tuaja, e jo të prisni ndërhyrje nga jashtë”. Ndërsa ambasadorja e Çekisë në Tiranë, Martjeta Fialkova, i bëri thirrje opozitës që t’i japë fund bojkotit të Kuvendit, pasi, siç theksoi edhe ajo, bojkoti nuk u shërben interesave dhe synimeve të Shqipërisë. “Bojkoti i Kuvendit nga ana e Partisë Socialiste nuk është në të mirë të interesave të Shqipërisë”, - është shprehur ambasadorja e Çekisë në Tiranë. Sipas saj, një gjë e tillë nuk po shikohet mirë, pasi nuk është kjo rruga pozitive e zgjidhjes së problemeve. Madje, ambasadorja Fialkova theksoi se prezenca e Partisë Socialiste në Kuvend është domosdoshmëri për miratimin e projektligjeve që përbëjnë kushtet themelore të ndërkombëtareve për ecurinë e mëtejshme të proceseve integruese të Shqipërisë. Madje ajo e vë theksin në një prej reformave më të rëndësishme që duhet të ndërmarrë Parlamenti shqiptar, siç është reforma në Drejtësi. Miratimi i projektligjeve që janë pjesë e kësaj reforme nuk mund të bëhet vetëm me votat e maxhorancës, pasi këto janë drafte të rëndësishme dhe kërkojnë shumicë të cilësuar votash në kuvend, që do të thotë se janë të domosdoshme votat e opozitës, përndryshe nuk do të ketë reformë, gjë që ndikon drejtpërsëdrejti në proceset integruese të vendit. “Shqipëria, që të integrohet në Bashkimin Europian, duhet të mbyllë procesin e reformave sikundër është ajo në Drejtësi. Por reforma në Drejtësi duhet të votohet në Kuvend, dhe votimi nuk është i mundur pa pjesëmarrjen e opozitës”, - ka theksuar ambasadorja çeke. Ambasadorët e BE-së i bënë këto deklarata gjatë takimit të zhvilluar me rastin e 20-vjetorit të rënies së Murit të Berlinit.

10 Nentor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›