E Shtunë, 31 Tetor 2026

Meta, vizitë në Bruksel për çështjen e liberalizimit të vizave



Zëvendëskryeministri, njëkohësisht ministër i Jashtëm, Ilir Meta, ka nisur një vizitë disaditore në Bruksel për të diskutuar lidhur me çështjen e liberalizimit të vizave dhe marrjes së statusit të vendit kandidat për Shqipërinë. Kjo është vizita e parë në Bruksel e Metës qëkur ai erdhi në krye të Diplomacisë shqiptare afro dy muaj më parë. Burime nga Ministria e Jashtme shqiptare kanë bërë të ditur se gjatë tri ditëve të ardhshme priten takime intensive me autoritetet e Brukselit, përfshirë dhe komisionerin për Zgjerimin, Oli Ren, ku në vëmendje do të jenë çështja e liberalizimit të vizave për qytetarët shqiptarë dhe dhënia e statusit të vendit kandidat për Shqipërinë nga BE-ja. Zyrtarët shqiptarë janë deklaruar se brenda muajit nëntor pala shqiptare do të përmbushë një pjesë të rëndësishme të detyrimeve që lidhen me këto procese, por opozita, nga ana e saj, shpreh dyshime nëse një gjë e tillë do të arrihet. Komisioni Europian nuk e ka përfshirë Shqipërinë në propozimin e tij për liberalizimin e vizave me disa nga vendet e Ballkanit Perëndimor në fillim të vitit të ardhshëm, ndërkohë që aplikimi i saj për statusin e vendit kandidat për anëtar të BE-së nuk është shqyrtuar, ndonëse është paraqitur që në muajin prill të këtij viti. Vizita e Metës në Bruksel ndodh në një kohë kur në Shqipëri vijon të zhvillohet kriza politike. Opozita ende nuk ka hyrë në Kuvend, ndërkohë që prej disa javësh ajo ka nisur protesta, për t’i kërkuar qeverisë hapjen e kutive të votimit. Opozita është shprehur e vendosur për të vijuar bojkotin dhe protestat, ndërkohë që mungesa e saj në Kuvend lë pa miratuar shumë ligje të rëndësishme, për të cilat nevojiten konsensus dhe që kanë të bëjnë me integrimin e vendit. Nga ana tjetër, qeveria nuk po bën asnjë hap për të plotësuar kërkesën kryesore të opozitës dhe të Partisë Socialiste, që ka të bëjë me hapjen e kutive të votimit dhe transparencën e zgjedhjeve parlamentare të 28 qershorit.

10 Nentor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›