Berisha, mesazh urimi kancelares Merkel për 20-vjetorin e rënies së Murit të Berlinit
Kryeministri Berisha i ka dërguar një mesazh urimi kancelares gjermane, Angela Merkel, me rastin e 9 nëntorit, ditës përkujtimore të rënies së Murit të Berlinit. Në këtë mesazh Berisha e ka cilësuar 9 nëntorin një ditë të madhe jo vetëm për Gjermaninë, por për mbarë njerëzimin. Berisha ka shkruar se shembja e Murit të Berlinit solli shembjen e komunizmit në Europën Lindore. “Kombi i madh dhe mik gjerman, së bashku me qytetarët e lirë në mbarë botën, festojnë 20-vjetorin e shembjes së Murit të Berlinit, ngjarjen më të madhe pas Luftës së Dytë Botërore për kombin Tuaj, por edhe për lirinë e njerëzimit. Sot është një ditë e madhe, në të cilën gjermanët dhe qytetarët e lirë në mbarë botën nderojnë së bashku burrërinë, trimërinë dhe guximin e jashtëzakonshëm të mijëra e mijëra djemve e vajzave, burrave e grave të Gjermanisë Lindore, që më 8 nëntor të vitit 1989, me zjarrin e lirisë në shpirt dhe zemër u vërsulën si luanë mbi Murin e Berlinit, e shembën atë duke hapur jo vetëm dyert e bashkimit të kombit Tuaj, por edhe dyert e lirisë për qindra milionë qytetarë të Europës, të cilët vuanin nën tiranitë komuniste. Shembja e Murit të Berlinit i dha zgjidhje përfundimtare çështjes gjermane, e cila, siç do të theksonte presidenti amerikan Ronald Regan, ishte njëkohësisht çështje e lirisë së njerëzimit. 8 nëntori i vitit 1989 bëri të mundur që kombet europiane, ndër të cilat dhe kombi shqiptar, të shtypura nga diktaturat komuniste, të ngrihen njëri pas tjetrit dhe të shembin regjimet e egra totalitare në vendet e tyre, duke realizuar kështu përmbysjen me shpejtësi, në mbarë Europën, të sistemit socialist, eksperimentit më tragjik që njerëzimi ka njohur në tërë historinë e vet”, - shkruan kryeministri Berisha. Ai vlerëson lart në letrën e tij personalitetet botërore, Ronald Regan, Helmut Kohl, Xhorxh Bush, Mikail Gorbaçov, Papa Gjon Palin e Dytë, “të cilët, me vizionin e tyre, u dëshmuan misionarë, promotorë dhe arkitektë të shembjes së perdes së hekurt dhe të bashkimit të Gjermanisë. Këto 20 vite Gjermania e bashkuar në liri u shndërrua në promotorin kryesor të zhvillimit dhe integrimit europian. Shqiptarët kanë pasur dhe kanë privilegjin e madh të jenë në krye të listës së ndihmës dhe të solidaritetit të vendit Tuaj mik e bujar”, - ka shkruar Berisha, i cili shpreh mirënjohjen e kombit shqiptar ndaj kombit gjerman dhe feston bashkë me të 20-vjetorin e rënies së Murit të Berlinit.
10 Nentor 2009