E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ambasadorët e BE-së: Zgjidhni krizën politike

Sipas ambasadorëve, klasa politike shqiptare duhet të zgjidhë vetë problemet dhe jo të presë nga ndërkombëtarët


Ambasadorja çeke, Fialkova: Po bllokohen reformat, opozita duhet në Parlament


TIRANË- Kriza politike e krijuar në vend ka sjellë dje reagimin e ambasadorëve të Bashkimit Evropian të vendosur në Tiranë. Gjatë një konference për shtyp, në kujtim të 20 vjetorit të rënies së Murit të Berlinit, ambasadorët e BE-së, i bënë dje thirrje politikës shqiptare që të zgjidhë krizën politike, që është krijuar në vend.


Ata deklaruan se midis aktorëve politikë duhet gjetur gjuha e kompromisit në arritjen e një zgjidhjeje të situatës politike. Sipas tyre, klasa politike shqiptare duhet të zgjidhë problemet, që kanë bllokuar aktivitetin e institucioneve të Shqipërisë.


Për këtë arsye, sipas ambasadorëve, duhet bërë përpjekje që të arrihet një kompromis i tillë për të gjetur gjuhën e përbashkët në funksion të realizimit të reformave në vend.


Ambasadori i Gjermanisë, Austrisë, Polonisë dhe ambasadorja e Çekisë theksuan se bojkoti që po zhvillon opozita parlamentare nuk e ndihmon interesin e Shqipërisë për integrimin evropian të saj. Ambasadorja çeke Marketa Fialkova është treguar më e drejtpërdrejtë në deklaratën e saj drejtuar politikës shqiptare.


Ajo vuri në dukje se nëse Shqipëria duhet të bëhet pjesë e Bashkimit Evropian, duhet që të mbyllë procesin e reformave dhe të zgjidhë situatën politike. "Sigurisht, bojkoti i Parlamentit nga opozita nuk është në të mirë të interesave të Shqipërisë. Kjo është kundër perceptimit pozitiv të Shqipërisë në vendet anëtare të Bashkimit Evropian.


Shqipëria nuk do të shihej se po ecën në një rrugë të mbarë. Në këndvështrimin tim, ajo që është më e rëndësishme është se në rrugën e saj drejt Bashkimit Evropian, Shqipëria lipset të miratojë apo të përfundojë paketat e reformave më të rëndësishme politike. Dhe një nga këto reforma, veçanërisht shumë e rëndësishme, është përshembull reforma në drejtësi", - tha Fialkova.


Ambasadori gjerman, Bernard Borchardt dhe ai austriak Raunig u shprehën se zgjidhja e krizës politike, duhet të vijë nga mazhoranca dhe opozita, pa ndërhyrjen e ndërkombëtarëve. Sipas Borchardt, për zgjidhjen e krizës politike duhet të angazhohen të dyja palët. Ambasadori gjerman shtoi gjithashtu se Shqipëria është një vend sovran dhe ai nuk e shikonte të nevojshme ndërhyrjen e ndërkombëtarëve në këtë pikë.


Ndërsa ambasadori i Austrisë, Florian Raunig, vuri theksin tek kushti, se nëse Shqipëria dëshiron të jetë pjesë e Bashkimit Evropian duhet t'i zgjidhë vetë problemet brenda saj dhe jo të presë ndërhyrje nga jashtë.


Aktorët politikë ndërkombëtarë, veçanërisht ambasadorët e lartpërmendur, kanë theksuar edhe më parë këtë shqetësim lidhur me situatën politike në vend në formën e sugjerimeve dhe këshillave për politikën shqiptare, duke kërkuar që mazhoranca dhe opozita të gjejnë mirëkuptimin mes tyre.


Ndërsa tani thirrja është për zgjidhjen e krizës politike shqiptare nga vetë aktorët politikë të saj, pa ndërhyrje nga jashtë dhe si kusht është vendosur për integrimin e vendit në Bashkimin Evropian.


KE- qeverisë: Na ndihmoni, t'ju ndihmojmë për vizat


TIRANË- Zëvendësdrejtori i Përgjithshëm i Komisionit Evropian për Imigracionin dhe Azilin, Jean Louis De Brouwer -er, deklaroi dje se Shqipëria duhet të japë ndihmën e saj, me qëllim që të përfitojë nga liberalizimi i vizave. "... Mesazhi nga Komisioni Evropian sot është: Na ndihmoni, që t'u ndihmojmë! Ne presim nga mesi i këtij muaji një raport tjetër nga qeveria shqiptare lidhur me gatishmërinë e saj në këtë drejtim.


Ky raport do të shërbejë si baza e planifikimit të përbashkët në nivelin e lartë zyrtar për fazën tjetër të procesit të liberalizimit të vizave,"- tha dje De Brouwer -er, pas takimit të zhvilluar me Ministrin e Punëve të Jashtme, Ilir Meta.


Nga ana tjetër, Meta e informoi De Brouwer-in, mbi plotësimet e detyrimeve të udhërrëfyesit për liberalizimin e vizave nga ana e qeverisë shqiptare. "Ne jemi të ndërgjegjshëm se mbetet ende për të bërë dhe do të bëjmë çdo gjë për t'i përmbushur të gjitha detyrimet tona, duke qenë të bindur se edhe Komisioni dhe të gjithë shqiptarët, këtë presin,"- u shpreh dje Meta.


Ndërsa De Brouwer -er, duke iu referuar edhe procedurave të reja, që do të aplikohen pas hyrjes në fuqi të Traktatit të Lisbonës, theksoi se Komisioni Evropian është i angazhuar për ta mbyllur këtë proces brenda gjashtë mujorit të vitit të ardhshëm.


Sipas tij, testi i fundit të Shqipërisë mbetet organizimi i misioneve të vëzhgimit, që do të vijnë në bllok njëri pas tjetrit, së pari siguria e dokumentacioneve dhe më pas blloku që ka të bëjë me menaxhimin e kufijve, rendin publik dhe sigurinë.

 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›