Avokatët e Berishës: Coli ka bërë 3 vrasje
TIRANË- Mbrojtësit ligjorë të të pandehurit Lulëzim Berisha, Arben Qeleshi dhe Ilia Ilia i kërkuan të penduarit të organit të akuzës Adriatik Coli, të japë shpjegime edhe për tri vrasje të tjera në qytetin e Durrësit të cilat nuk janë përfshirë në dosje nga organi i akuzës.
Avokatët e të akuzuarit si "kreu i bandës" së Durrësit, të cilët në pyetjet e tyre drejtuar të penduarit Coli, i kërkuan këtij të fundit t'i japë shpjegime Gjykatës së Krimeve të Rënda për vrasjet e kryera prej tij ndaj Ali Kërtushës, Dorjan Sema dhe Ledion Kecit në Durrës.
Këto vrasje, sipas mbrojtjes, janë ende pa autor, por që janë kryer nga i pandehuri Adriatik Coli që ka fituar statusin e të penduarit të "bandës". Në seancën e djeshme gjyqësore, avokatët mbrojtës nisën parashtrimin e pyetjeve të tyre ndaj Adriatik Colit, që në një seancë më parë përfundoi dëshminë e tij të lirë dhe iu përgjigj pyetjeve të prokurorit, duke treguar shumë ngjarje kriminale të ndodhura në qytetin e Durrësit që dyshohet se janë kryer nga "banda" ku edhe ai bënte pjesë.
Në pyetjet e tij avokati Qeleshi i kërkoi Colit të bëjë një përmbledhje të ngjarjeve, ku i janë bërë atentatet klientit të tij Lulëzim Berisha nga rivalët e tij, për të cilën i penduari përsëriti ngjarjet duke dhënë detaje për atentatet e dështuara.
Më pas, avokati Ilia në pyetjen e parë, i kërkoi Colit të japë shpjegime për tri vrasje të kryera nga ai në Durrës, për të cilat i penduari me këshillimin e avokatit mbrojtës u shpreh se "nuk janë këto objekt gjykimi.
Kam deklaruar njëherë për këtë në prokurori". Kjo përgjigje, bëri që avokatët të reagojnë, duke i kërkuar Gjykatës së Krimeve të Rënda t'i vënë në dispozicion deklarimet e Colit për këto tri vrasje, që sipas prokurorisë, janë në hetime sipër.
"Organi i akuzës, i kërkon gjykatës që mos të lejojë të pandehurin Coli të flasë për këto vrasje, pasi nuk janë objekt gjykimi. Këto çështje vazhdojnë të hetohen dhe verifikohen nga Prokuroria e Krimeve të Rënda"- tha prokurori Anton Martini.
I menjëhershëm qe reagimi i avokatëve që kërkuan nga prokuroria tërheqjen e akteve dhe plotësimin e hetimeve, si dhe vënien në dispozicion të tyre të këtyre akteve.
Këto dy kërkesa trupi gjykues i rrëzoi, me arsyetimin se nuk janë objekt hetimi. Ky vendim i ndërmjetëm, bëri që avokatët mbrojtës të kërkojnë nga togat e zeza ndërprerjen e seancës gjyqësore për të përgatitur ankimin ndaj këtij vendimi, pasi sipas tyre i penduari Coli gënjen gjykatën.
Pas kësaj kërkese, kryesuesi i trupës gjykuese, Gurali Brahimllari, ndërpreru seancën duke i lënë kohë avokatëve deri të enjten në mëngjes, kur ajo duhet të vazhdohë me pyetjen e të penduarit nga avokatët e tjerë.
Coli e Taullai,.............................. repivëllezër tropojanë në Spitallë
Ndërkohë, gjatë kohës së dëshmisë së Colit në lidhje me atentatet ndaj Lul Berishës, i pandehuri Indrit Taullai shkëmbeu replika me ish-shokun e tij Adriatik Coli. Ky i fundit, iu drejtua me fjalët "mos fol ti se ke bërë edhe pesë vrasje të tjera". Kjo deklaratë zgjoi kureshtjen e gjyqtarëve të cilët kërkuan hollësi.
I penduari pohoi: Dy vëllezër tropojanë në Spitallë, i di Indriti kush janë". Sipas akuzës, 16 të pandehurit e bandës së Durrësit akuzohen për një sërë veprash të rënda penale të kryer nga viti 1998-2006 në qytetin bregdetar të Durrësit.