Ambasadorët e Kosovës

Kreu i Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK), Fadil Vokrri, të hënën i ka pritur dy futbollistët e rinj kosovarë që luajnë në Zvicër, Taulant dhe Granit Xhaka, të cilët kanë ardhur për pushime në Kosovë.
Vokrri i ka mirëpritur dy talentët, të cilët i falënderoi për kontributin që po e japin në prezantimin e futbollit kosovar jashtë vendit. Ai po ashtu i ka vlerësuar si ambasadorët kryesorë të sportit të këtushëm.
“Është nder dhe privilegj t’i kem sot këtu dy asat e mëdhenj që na prezantojnë në arenën ndërkombëtare, Taulantin dhe Granitin. Zvicra U17 u shpall kampion i botës dhe pa dyshim se meritë për këtë trofe pati edhe Graniti. Vëllezërit Xhaka e kanë treguar veten në fushë. I falënderoj për krejt çka bëjnë. Ju dëshiroj suksese dhe le të vazhdojnë të na reprezentojnë edhe në të ardhmen njëjtë”, theksoi Vokrri në një konferencë për shtyp të mbajtur të hënën.
Kryetari i FFK-së si dhuratë u ka dorëzuar nga një fanellë të përfaqësueses së Kosovës dyshes me nënshtetësi zvicerane. Edhe vëllezërit Xhaka, të cilët u paraqitën bashkë me babanë e tyre, Ragipin, e falënderuan kryetarin Vokrri për ftesën që u ka bërë.
Taulanti (18) është pjesë e U21 të Baselit, por edhe i U19 të përfaqësueses së Zvicrës. Ndërsa Graniti (17), i cili u shpall kampion i botës me Zvicrën U17, luan për të rinjtë e Baselit,
Mirëpo që të dy në fillim të vitit të ardhshëm do të kalojnë përfundimisht në ekipin e parë. “Kam nderin që jam këtu. Ne kemi ardhur për pushime, ndërsa më 6 janar do të shkojmë në Zvicër, ku së bashku me Granitin do t’i nisim stërvitjet me ekipin e parë të Baselit”, ka thënë vëllai i madh, Taulanti.
Graniti i ka shpalosur ndjenjat e tij që i përjetoi me Zvicrën U17 në Nigeri. Ai tha se nuk e kishte pritur as ai e as dikush tjetër këtë sukses të helvetikëve. Por, ai ndihet mirë që e ka realizuar një ëndërr të tij.
Paraqitjet e mira në Zvicër të këtyre vëllezërve kanë bërë që drejtuesit e Federatës Shqiptare të Futbollit (FSHF) të interesohen për ta. Mirëpo, familja Xhaka nuk i ka dhënë ende përgjigje kuqezinjve, pasi që prioritet për ta është Kosova.
“Kam pasur kontakte me njerëz të FSHF edhe për Taulantin edhe për Granitin. Dihet se Shqipëria është vend i yni, por dëshirë dhe prioritet i imi dhe i këtyre dyve është përfaqësuesja e Kosovës. Po ashtu, që të dy janë pjesë e përfaqësueses së Zvicrës për kategori më të reja. Mendoj se është herët të flitet, por përpos Kosovës, nuk e përjashtoj nga mundësitë as Shqipërinë e as Zvicrën”, theksoi babai i futbollistëve, Ragip Xhaka.
Selektori i përfaqësueses A të Zvicrës, Ottmar Hitzfeld, i ka vëzhguar me kujdes futbollistët e U17 të Zvicrës. Trajneri gjerman e kishte përsëritur disa herë për mediet zvicerane dhe gjermane se në të ardhmen e ka ndërmend që në ekipin e tij ta inkuadrojë ndonjërin prej talentëve zviceranë.
“Së pari shpresoj të mos kem lëndime dhe më pas, sigurisht, do të isha i lumtur nëse më thërret Hitzfeld. Por, do të isha i lumtur edhe nëse më fton përfaqësuesja e Kosovës”, përfundoi 17 vjeçari.
Taulant dhe Granit Xhaka janë vetëm dy nga talentët e panumërt kosovarë që luajnë jashtë dhe në të cilët mund të llogaritë përfaqësuesja e Kosovës në të ardhmen.