Vazhdon me Vorsklan

Armend Dallku do të vazhdojë të luajë në kampionatin ukrainas, së paku, deri në qershor të vitit të ardhshëm. Mbrojtësi kosovar po qëndron në Kosovë për pushime. Ai pranon se kishte disa oferta, por që vendosi t’i mbetej besnik klubit ukrainas, me të cilin ka kontratë edhe një vit.
Sipas rregullave të FIFA-s, gjashtë muaj para skadimit të kontratës, një futbollist ka të drejtë të negociojë me një klub tjetër. Njëjtë mendon të veprojë edhe përfaqësuesi shqiptar.
“Janë disa klube që më kërkojnë, por Vorskla po kërkon dëmshpërblim të madh. Unë po kërkoj ta gjej një mënyrë që kur dëshiroj të largohem, të mos kem probleme. Në janar nuk e kam ndërmend të largohem, por në qershor, së bashku me menaxherin tim, do t’i nisim bisedat me klubet tjera”, deklaroi Dallku për Express.
Ai tregoi se edhe Vorskla i ka propozuar vazhdimin e kontratës, ngase ky klub nuk dëshiron ta humbasë Dallkun pa fituar asnjë para. Mbrojtësi i djathtë kosovar nuk e ka në plan ta vazhdojë kontratën me klubin ukrainas, pasi që e synon një klub më të madh.
Vorskla nuk po kalon momente të mira në kampionatin ukrainas. Dallku e ka analizuar sezonin vjeshtor negativ, nëpër të cilin kaloi ekipi nga Poltava.
“Si duket ne ishim ende me atë gëzimin e Kupës së Ukrainës dhe nuk mendonim shumë për kampionat. Është e vërtetë se e kemi nisur dobët këtë kampionat. Por, largimi i dy futbollistëve të rëndësishëm ishte arsye kryesore. Klubi konsideronte se mund ta fillonte kampionatin me futbollistët e njëjtë, pa bërë përforcime. Kjo nuk pati sukses. Tash zyrtarët e klubit janë mobilizuar dhe kanë premtuar disa përforcime. Mendojmë se do të arrijmë ta përfundojmë sezonin në mesin e 6 ekipeve të para”, vazhdoi futbollisti vushtrrias.
Shpreson në Euro 2012
Sa i përket Kombëtares shqiptare, Dallku e ka vlerësuar lart punën që po e bën selektori Josip Kuze. Inkuadrimi i futbollistëve të rinj te kuqezinjtë, për ish futbollistin e Prishtinës, është një gjest i shkëlqyeshëm.
Ai e ka përshëndetur edhe plan-programin e Federatës Shqiptarë të Futbollit (FSHF), ndërsa shpreson që Shqipëria të ketë fat në shortin për kualifikimet e Evropianit 2012 dhe kuqezinjtë më në fund ta sigurojnë një vend në fazën finale të një gare të rëndësishme, siç është Kampionati evropian.